PDK: Vetëvendosje po instalon frikën dhe po përgatitet për dhunë në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dënon thirrjet e zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes këto ditë për dhunë dhe vëllavrasje. PDK konsideron se kjo gjuhë e dhunshme është e dënueshme sepse po nxit një konflikt të rrezikshëm shoqëror.

Këto deklarata të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë për qëllim nxitjen e një zinxhiri të dhunës që del jashtë institucioneve shtetërore për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

“Ato filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzuar me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Boiken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të  LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje”.

“Ne dënojmë rëndë gjuhën e urrejtjes dhe krijimin e klimës së frikës nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, të ndihmuar dhe orkestruar edhe nga analistë të papërgjegjshëm në Shqipëri e Kosovë”.

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë sigurinë publike, të mbjelli përçarje, të nxit konflikt civil e të shkeli rendin kushtetues.

Pasojat e këtyre veprimeve janë të paparashikueshme dhe përgjegjësia totale për çfarëdo që ndodh ka për të qenë e gjitha e Lëvizjes Vetëvendosje.