Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk do të marrë pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, të caktuar më 15 prill, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Por, ndryshe u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila tha se në parim është për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputeti i zgjedhur nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku, tha se partia e tij mendon se zgjidhja e qëndrueshme është që kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, të udhëheqë me ekzekutivin e ri.
Ai tha se PDK-ja ka zhvilluar takime me partitë e tjera që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, dhe u bën thirrje që të ketë “një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë sa i përket moszgjedhjes së kryeministrit [aktual në detyrë, Albin] Kurti, apo mosdhënies së mundësisë [për formimin e Qeverisë] Kurti 3”.
Megjithatë, pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e re, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në parim partia e tij do të votojë për kryeparlamentarin e ri, që sipas ligjeve duhet të propozohet nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
“Kuptohet, do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare, me PDK-në dhe LDK-në. Por, besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket krijimit të Qeverisë së re, Haradinaj tha se po punon që ajo të krijohet nga partitë opozitare.
Megjithatë, ai tha se bërja e shumicës nga opozita është ndërlikuar për shkak të deklaratës të kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me LVV-në.
Limaj, në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në koalicion me AAK-në, dhe fitoi tri ulëse në Kuvend, ndërkaq partia e Haradinajt pesë të tjera.
“Ka qenë shumë i vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshëm dhe nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por, është një ndarje mjaft e turpshme pasi kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, tha Haradinaj.
Sipas ligjeve, LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, e ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin. Seanca konstituive, e caktuar për të martën, konsiderohet e përmbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, e deputetët e rinj të kenë bërë betimin.
Për votimin e kryetarit kërkohen 61 vota.
Vetëm pas kësaj, LVV-ja do të mund të vazhdojë me përpjekjet për të formuar Qeverinë e re, për të cilën po ashtu kërkohen 61 vota.
Më herët, Kurti kishte thënë se mëton që brenda një dite të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria.
LVV-ja ka thënë më herët se preferon një ekzekutiv me partitë nga komunitetet joserbe, por së fundi ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me një parti shqiptare.
AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në për Qeverinë. Por, Nisma nuk i ka vendosur vija të kuqe, ndërkaq Hamza nga PDK-ja ka thënë se ndonëse nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, preferon një ekzekutiv pa LVV-në.
Megjithatë, Kurti nuk e ka mbështetjen e plotë edhe të partive joserbe – që tradicionalisht kanë mbështetur Qeverinë. Disa nga partitë joserbe, që kanë dhjetë ulëse në Kuvend, kanë paraqitur kërkesa në këmbim të votës së tyre për qeverinë.
Nëse LVV-ja dështon të formojë Qeverinë, atëherë është në dorën e presidentes, Vjosa Osmani, që të mandatojë një subjekt politik që dëshmon se i ka numrat.
PDK-ja, partia e dytë e dalë në zgjedhje me 24 vende në Kuvend, ka thënë se është e gatshme ta marrë këtë përgjegjësi. LDK-ja, me 20 ulëse, ka vendosur kusht për bashkëpunimin me partitë opozitare. Kushti është marrja e postit të kryeministrit, por PDK-ja ka thënë se ky post i takon asaj. AAK-ja, ndërkaq, nuk ka vendosur asnjë kusht për një koalicion të mundshëm të partive opozitare. /Rel/