PDK procedon në Kuvend projektligjin për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve të Policisë dhe Inspektoratit

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj, përmes një konference për media kanë bërë të ditur se PDK ka ndërmarrë nismën  për hartimin e Projektligjit për pensionimin e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

Kjo nismë për hartimin e këtij projektligji, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, është bazuar në nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 5 pika 1 (1.2), nenit 8 të Ligjit Nr. 04/-l-025 për Nisma Legjislative dhe të nenit 53 të Rregullores së Kuvendit.

“Duke e ditur se Policia e Kosovës edhe pse  është policia më e re e themeluar në Evropë, ajo fatkeqësisht  nuk është e  re edhe me moshën e zyrtarëve të saj. Mosha mesatare e Policisë së Kosovës kalon moshën rreth 47 vjeç andaj është e domosdoshme të bëhet shqyrtimit i këtij projektligji në afatin sa më të shkurtër kohor, në mënyrë që edhe të veprohet sa më shpejt që është e mundur nga Kuvendi, duke i marrë parasysh pikërisht shqetësimet që adresohen përmes projektligjit”, ka thënë deputetja Musliu.

Më tej, ajo ka shtuar se krahas draftit të projektligjit të cekur më sipër, Grupi Parlamentar i PDK-së ka përgatitur edhe Memorandumin shpjegues të tij, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe sot do ta procedojnë atë në Kuvend.

“Ky ligj, përcakton njohjen e së drejtës në pension për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, familjarët e tyre, si dhe kriteret dhe të drejtën për pensionim. Ky ligj rregullon dhe përcakton kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pension për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore dhe familjarët e tyre”, ka përfunduar Musliu.

Ndërkaq, deputeti Rashit Qalaj ka treguar disa prej arsyeve pse ky projektligj duhet të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Është shumë e nevojshme që sa më parë që është e mundur ky ligj të vije në Kuvend, por, arsyeja kryesore është që Policia e Kosovës të investojë në gjeneratat e reja. Mosha mesatare prej 47 vjetëve tregon se policia është e vjetër dhe ka nevojë të rinohet. Ka shumë policë të vjetër me sëmundje të rënda, të cilat ua pamundësojnë që të kryejnë detyrat ashtu siç kërkohet. Po ashtu, Policia e Kosovës ka njësi të shumta ku shërbejnë mosha të ndryshme. Edhe ata kanë nevojë të përtrihen. Ne kërkojmë mbështetjen për këtë projektligj edhe nga Grupet tjera parlamentare dhe si i tillë duhet të votohet nga të gjitha partitë politike”, ka thënë deputeti Qalaj.