Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se partia e tij do të votojë edhe në lexim të dytë projektligjin për buxhetin e vitit 2021.
Por Hamza pret që qeveria e re ta rishikojë atë, posa të vijë në pushtet.
“E dimë që e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe se vendi do të shkojë në zgjedhje dhe se është situatë delikate pa miratim të buxhetit. Me qëllim që vendi të mos përballet me bllokadë, ne si PDK edhe në lexim të parë e kemi përkrahur buxhetin për vitin 2021. Në komisionin për Buxhet dhe Financa disa amendamente e kanë përkrahjen e gjithë komisionit.
Numri i amendamenteve dhe shuma e tyre është shumë e lartë dhe në këtë kohë është e pamundur të shqyrtohen të gjitha, andaj duhet të bëhet rishikimi. Kështu do të votojmë buxhetin në mënyrë që të bëhet ekzekutimi i pagave e pensioneve, mirëpo duhet të rishikohet ky buxhet”, ka thënë Hamza.