Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka mbajtur sot një Konferencë për Media, lidhur me qëndrimin e PDK-së rreth mbajtjes së referendumit serb brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Tahiri ka thënë se PDK është kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, por, megjithatë, Qeveria do të duhej të kishte koordnim më të mirë me shtetet e BE-së dhe SHBA-të gjatë kësaj periudhe.
“Në këtë kuadër, ne i kemi paraprirë dhe kemi mbështetur qasjen për të mos lejuar organizimin e këtij referendumi. Do të dëshironim që Qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT dhe veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me këtë çështje, sepse kërkesa nga Republika e Serbisë drejtuar Republikës së Kosovës përmes OSBE-së, ka ardhur në Dhjetor.”, ka thënë Tahiri.
Më tej, ai ka thënë se gjatë tërë kësaj kohe ne do të duhej ta shihnim një ofenzivë diplomatike të Qeverisë dhe Presidentes, në mënyrë që t’i bindin parnerët tanë që një kërkesë e tillë cenon rend, rendin tonë kushtetues.
“Fatkeqësisht qeveria ka vendosur të mos e bëjë një gjë të tillë. Por përkundër kësaj, kjo çështje tashmë ka epilog. Megjithatë, edhe pse e kemi një qëndrim të qeverisë, Qeveria dhe mazhoranca, kanë bërë thirrje për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër, për ta shtruar këtë temë edhe brenda Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës e sheh krejtësisht të panevojshme thirrjen e kësaj séance dhe nuk do të marrë pjesë.”, ka thënë Tahiri.
“Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi, të cilin qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtejmë. Prandaj, e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seance të tillë, e cila është përpjekje për shmangie të përgjegjësisë nga ana e Qeverisë.”, ka shtuar më tutje ai.
Tahiri i ka bërë me dije kryesministrit Kurti se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve që rrjedhin nga ligjet është përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë dhe jo Kuvendit.
“Për më tepër, rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me Rezoluta. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetutes dhe për ti qendruar mbrapa vendiimeve të saj.”, ka thënë Abelard Tahiri.
Në fund, ai ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës respekton të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, po aq sa edhe mos cenimin e rendit tonë kushtetues dhe sovranitetit tonë shtetëror.