Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që garës për zgjedhjet lokale në Podujeve t’i hyjë me deputeten Floretë Zejnullahun.
Këtë e bëri të ditur kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i cili tha se Zejnullahu është personifikim i idealit të familjes së saj prej patriotëve e luftëtarëve për lirinë e shtetit të Kosovës.
“Xhaxhai i saj, Heroi Hakif Zejnullahu, ndër të parët, bashkë me Zahir Pajazitin, u ngrit në këmbë për ta larguar shtypjen, që gjeneratat e reja, të gjithë ne, ta përjetojmë lirinë, ta jetojmë shtetin e Kosovës dhe ta ndërtojmë e zhvillojmë atë”, shkroi Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
I pari i PDK-së tha se qyteti i Podujevës është krenare me të dhe për dy mandate i ka dhënë mbështetje për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës.
“Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët. Ajo është kandidatja jonë për kryetare të Podujevës. Ajo edhe do të jetë kryetare e Podujevës”.
“Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të perjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e parezervë”, shkroi Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook