Deputetja Ariana Musliu-Shoshi dhe avokati Faton Fetahu, përmes një Konference për Media kanë denoncuar sot keqpërdorimin e 1.1 milion eurove, ku të përfshirë janë dy Ministrat e Qeverisë Kurti, Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se kjo është aferë e dyshimtë dhe e kundërligjshme, përmes së cilës është mundësuar keqpërdorimi i rreth 1.1 milion eurove të taksapaguesve të Kosovës.
“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi ka thënë se dyshimet rreth kësaj marrëveshje janë edhe të karakterit institucional, edhe të karakterit financiar, rreth asaj se për çfarë janë shpenzuar ato mjete.
“Memorandumi është nënshkruar më datë 16 gusht 2021, nga ana e Ministrit Fikrim Damka dhe përfaqësuesve të Caritas-it Zviceran (CACH), ku statusi ligjor i këtij të fundit, është Organizatë Joqeveritare (OJQ), e regjistruar si e tillë në Ministrinë e Administratës Publike të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Zhvillimit Rajonal, jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces, e mbi të gjitha, të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një Organizatë Joqeveritare, pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar një gjë e tillë kritereve për çfarë shteti ka shpallur si interes me atë shpallje”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Më tej, deputetja e PDK-së ka thënë se ky “Memorandum Bashkëpunimi”, nga dy ministrat e qeverisë Kurti është iniciuar dhe trajtuar sipas Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, me qëllimin që të trajtohet si “Marrëveshje për Bashkëpunim Ndërinstitucional”.
Sipas saj, Marrëveshje të tilla mund të lidhin ministritë vetëm me shtetet e huaja ose organizatat ndërkombëtare dhe vetëm nëse marrëveshjet e tilla nuk përmbajnë obligime të detyrueshme për Qeverinë.
“Por pikërisht mbi këtë bazë, Znj. Donika Gërvalla – Schwarz, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më datë 06 gusht 2021, i ka nënshkruar letrën përmes së cilës ministrit z. Damka i’u ka dhënë pëlqimi për nënshkrimin e këtij Memorandumi të Bashkëpunimit. Pra, ky Memorandum është nënshkruar në kundërshtim të plotë me ligjin, për dy arsye kryesore: Së pari, është nënshkruar me një OJQ që nuk është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Së dyti, e njëjta përmban obligime financiare mbi 1 milion euro për qeverinë nga buxheti i taksapaguesve të Kosovës”, tha Musliu-Shoshi.
Ajo ka thënë se përveç që është në kundërshtim me ligjin, pasojat e saj janë konkrete sepse për zbatimin e tij, Ministri Damka, ka marr vendim për ndarjen e 347 mijë eurove nga kodi buxhetor i ministrisë, nga programi “Administrata Qendrore” në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere” për këtë memorandum, duke e bërë këtë gjë jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin për buxhetin dhe ligjin për menaxhimin e financave publike.
“Një shpenzim i tillë i buxhetit nuk është paraparë e as ndarë me ligjin për buxhetin për vitin 2022, dhe as nuk ka mundësi të realizohet nëse e tejkalon 5 % të buxhetit të ministrisë. Pra, jo vetëm që nuk ka pasur një vendim të qeverisë, por as edhe aprovim paraprak të ministrit të financave. Mbi këtë bazë, dyshimet tona të bazuara dhe të argumentuara, na bën të kuptojmë se kemi të bëjmë me një aferë të kundërligjshme, që nga procedura e ndjekur me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi, e deri tek keqpërdorimi financiar i buxhetit të taksapaguesve të Kosovës. Të dy këta ministra, këtë gjë e kanë bërë me paramendim dhe në bashkëveprim”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Ndërkaq, avokati Faton Fetahu, argumentoi se pretendimet për paligjshmërinë e kësaj marrëveshje mbështeten në katër pikvështrime ligjore.
“E para, kjo marrëveshje është në kundërshtim me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. E dyta, është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjsitë. E treta, është në kundërshtim me ligjin për ndarjet buxhetore dhe e katërta, me legjislacionin e menaxhimit dhe shpenzimit të subvencioneve qeveritare”, ka thënë avokati Fetahu.
Për të gjitha këto katër pikëvështrime ligjore, avokati Fetahu ka dhënë shpejgime të detajuara se ku qëndron paligjshmëria e këtij memorandumi.
Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve të hetuesisë që të merren urgjentisht me hetimin e këtij rasti.