Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka denoncuar abuzimet e shumta në ministrinë e Shëndetësisë që janë raportuar me fakte nga mediat e shumta.
Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së kësaj partie, Donjet Bislimi, ka ftuar organet e hetuesisë të hetojnë emrin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka thirrur këtë konferencë shtypi për të shprehur alarmin për abuzimet e rënda që po bëhen nga ministri në detyrë Arben Vitia, i qeverisë së shkarkuar të Albin Kurtit.
Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të Republikës që të vihet menjëherë në lëvizje dhe të hapi rast për faktet e rënda korruptive të paraqitura dje nga dokumentari Indoks me titullin ‘Tenderomani në kohë pandemie’
Sipas të dhënave të nxjerra nga ky emision, gjatë javëve të fundit janë bërë mbi 5 milionë euro blerje me kontrata të negociuara, duke anashkaluar procedurat e rregullta, me justifikimin e situatës emergjente.
Një ndër kompanitë kryesore që ka përfituar nga këto kontrata të dyshimta është edhe Agani LTD ku ka punuar për një kohë të gjatë vetë ministri Arben Vitia i Vetëvendosjes”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka shtuar se si mund të shpjegohet që në kushtet kur Kosova ka 109 kompani me licencë importimi të barnave e pajisjeve shëndetësore, ministri Vitia i Vetëvendosjes ia ka dhënë tenderin pikërisht kompanisë për të cilën ka punuar?
“Si shpjegohet që, vetëm gjatë muajit prill, një kompani e vetme ka marrë 10 kontrata me total prej 2.1 milionë euro në formën e kontratave të negociuara pa garë të hapur?
Këto pyetje kanë veç një përgjigje. HAJNI!
Jo vetëm që këto tendera janë dhënë shpejt, fshehtë, pa konkurrencë dhe në mënyrë abuzive, por për produktet e blera janë paguar çmime tepër të fryra.
Bëhet fjalë për të njëjtin abuzim që Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë edhe në qeverisjen e saj në Prizren.
Një maskë e thjeshtë e tillë që nëpër dyqane kushton 50 cent, në kontratat e ministrit të Vetëvendosjes është mbi 7 euro”, ka theksuar Bislimi.
Anëtari i PDK-së, ka shtuar se si mjek i ri, që tash e sa javë është i angazhuar si vullnetar në luftën kundër koronavirusit duke shërbyer në pikën e Hanit të Elezit, ndihet tejet i fyer dhe i revoltuar, që pandemia po përdoret për të fshehur një aferë korruptive prej miliona eurosh.
“Ndërkohë që qindra mjekë, infermierë e të tjerë zyrtarë janë duke luftuar në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit. Ndërkohë që gjithë shoqëria është angazhuar kundër pandemisë. Qeveritarët e Vetëvendosjes janë duke bërë korrupsion. Sikur mos të mjaftojë vonesa, neglizhenca, mangësia e papërgjegjshmëria me të cilën ministri i shkarkuar i Vetëvendosjes, ka menaxhuar luftën kundër koronavirusit, tanimë po përballemi edhe me evidenca të qarta për korrupsion masiv. Këtë qeveritar të Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës e ka kapur tashmë , dy herë në flagrancë duke mashtruar në mënyrë të turpshme në një situatë kaq të rëndë të pandemisë”, tha Bislimi.
Bislimi shtoi se ministri Vitia së pari mashtroi për vendimin e strukturave paralele për karantinimin e dy komunave të veriut dhe së dyti për ardhjen e 7000 testeve.
“Ministri i shkarkuar i shëndetësisë, Vitia i Vetëvendosjes nuk do të mbahet mend vetëm për devetë dhe gjunjëzimin ndaj Serbisë, por edhe për afera korruptive milionëshe”, tha Bislimi.