PDK-ja se përkrah projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike të Qeverisë, kërkon të votohet propozimi i saj

Pak para se në Kuvend të bëhet votimi për projektligjin e propozuar nga Qeveria për rimëkëmbjen ekonomike, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në vend të këtij projektligjit, të votohet propozimi i saj.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se propozimi i qeverisë nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk ndihmon të gjitha kategoritë. Ai ka thënë se “nëse janë në pyetje vetëm mjetet e Trustit, mund të ndryshojmë një nen të Ligjit për Fondet Pensionale dhe të mos quhet ligj për rimëkëmbje”.

“Siç jeni të informuar sot në seancë janë dy projektligje që kanë të bëjnë me adresimin e nevojave të Kosovës. Është iniciativa e PDK-së dhe ajo e qeverisë. Ne propozojmë që të ulemi bashkërisht dhe ta bëjmë një ligj të mirëfilltë, të mire dhe të qëndrueshëm. Ligji që e ka propozuar qeveria nuk ka substancë. Nëse janë në pyetje vetëm mjetet e trustit mund ta ndryshojmë vetëm një nen të ligjit për fondet pensionale. Unë them që është mirë që qeveria të votojë propozimin tonë. Është më gjithëpërfshirës. Dyja janë në votim. Në këtë seancë të dyja janë në votim, por ne po themi nëse është veç trusti të mos bëhet ligj për rimëkëmbje, por të vije ai për fondin pensional”, ka deklaruar Hamza.