Në rast se dështon anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës këtë javë, Partia Demokratike e Kosovës do të iniciojë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Nisma është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ka mësuar Paparaci nga disa burime brenda partive opozitare.
Për të arritur këtë synim, përfaqësuesit e PDK-së kanë planifikuar të presin 17 majin, ditën kur mund të dështojë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, kanë bërë të ditura të njëjtat burime për Paparacin.
Synimi i PDK-së është që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti t’iu propozohet partive të tjera opozitare më 17 maj, menjëherë pas dështimit të mundshëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj.
Iniciativa e partisë më të madhe opozitare për shkarkimin e Albin Kurtit është në një linjë me takimin e planifikuar për sot mes shefit të qeverisë dhe Memli Krasniqit, kryetarit të PDK-së.
PDK-ja, e vetmja parti opozitare që iu përgjigj një ftese të kryeministrit Albin Kurti për takim me përfaqësuesit e opozitës, tha se takimit do të jetë në funksion të diskutimit të caktimit të datës së zgjedhjeve të reja.
Në një deklaratë për media të dielën, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu u shpreh se e vetmja rrugë përpara janë zgjedhjet e parakohshme.
”Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, tha zëdhënësi i PDK-së.
Dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja refuzuan ftesën e Kurtit për takim.
Para rreth një viti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte iniciuar mocion mosbesimi kundër Qeverisë Kurti por asokohe dy partitë e tjera opozitare kishin refuzuar t’i japin mbështetje nismës së AAK-së.
Paparaci, ka provuar të kontaktojë të hënën me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Përmes një mesazhi me shkrim, ka thënë se ndodhet në një takim.
Për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nevojiten votat e 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për të kaluar një mocion i tillë janë të domosdoshme së paku 61 vota të deputetëve, nga numri i përgjithshëm prej 120 deputetësh sa ka Kuvendi i Kosovës.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ka 57 deputetë në Kuvend. Nga partitë opozitare, PDK-ja ka 18 deputetë, LDK-ja ka 16, ndërkaq AAK-ja ka tetë deputetë. Të tri këto parti së bashku kanë 42 deputetë, që është numër i mjaftueshëm për të iniciuar një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.
Grupi Parlamentar multietnik ka tetë deputetë, ndërkaq 13 të tjerë janë pa grup parlamentar, ku bëjnë edhe nëntë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mars të këtij viti se është i gatshëm t’i japë mbështetje një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së tij.
Në një konferencë për media më 22 mars, Kurti tha se partia që drejton është e gatshme t’ia japë opozitës votat e nevojshme për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të jashtëzakonshme mund ta bëjmë me dy të tretat shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat”, ishte shprehur Kurti.
Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, në mars të këtij viti e kishte konfirmuar se ka një koncensus në mes të të gjitha partive parlamentare për ta çuar vendin në zgjedhje. /Paparaci.com/