Njësia për Mbrojtjen e Afërt të Policisë së Kosovës ka marrë në mbrojtje liderin opozitar, Memli Krasniqin e PDK-së.
Nga Partia Demokratike e Kosovës e kanë konfirmuar për Insajderin, se Memli Krasniqit i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë.
“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”, tha Valmir Klaiqi, drejtor i Komunikimit në PDK, për Insajderin.
Megjithatë arsyet se pse kryetari Krasniqi po ruhet nga policia mbeten të panjohura.
Bashkë me Krasniqin është raportuar se edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku është marrë në mbrojtje nga Policia e Kosovës.