Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Në konferencën për media të mbajtur të dielën, Mustafa ka thënë se duhet të nisin hetime penale për të verifikuar nëse Peci a ndikuar që një vëlla i deputetes së mazhorancës të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.
Ai tutje ka akuzuar pushtetin se po i shfrytëzon dhe shpërdoron institucionet publike për të përfituar nga paratë e taksapaguesve.
“Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm katër ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga institucionet e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.
Ai tutje ka kërkuar që ministri i Bujqësisë të raportojë në Komisionin Parlamentar për Bujqësi.
“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllai i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, ka thënë Mustafa.