Inatet politike po e mbajnë të bllokuar në Kuvend që prej gushtit Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Atë nuk po e votojnë dy partitë opozitare. Sipas Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ky projektligj nuk përmbush kërkesat e bizneseve dhe nuk ka asnjë lidhje me rimëkëmbje ekonomike.
Për Vetëvendosjen, ky projektligj është i palogjikshëm dhe i rrezikshëm. Kjo parti ndërkohë ka dhënë edhe një propozim të vetin, ndihmë përmes kredive.
Besnik Bislimi, ish-ministër i Financave, thotë se kjo ndihmë do të ishte më e leverdishme për qytetarët, derisa ka shtuar se nga Trusti jo të gjithë mund të përfitojnë.
“Për ato familje që mund të marrin kredi, kreditimi deri në dyfishimin e pagës mesatare ku Qeveria e kish marrë përsipër mbulimin e normës së interesit në një periudhë 5-vjeçare. Është opsion shumë i mirë, për arsye se mjetet e kredituara, edhe pse në vëllim janë njëjtë me mjetet e tërhequra nga trusti i pensionit, të gjitha kishin me u vu në qarkullim, ndërkaq kostoja kishte me qenë më e vogël sepse ne sigurojmë mjetet, por në të njëjtën kohë nuk pengojmë rritjen e mjeteve të kursyera në Trust”, ka thënë Bsilimi.
Sipas Bislimit, familjet të cilat janë buzë ekzistencës nuk përfshihen në këtë projektligj dhe nuk kanë fare mjete në Trust.
Në anën tjetër, PDK-ja ka përsëritur se do të vazhdojë të mos e përkrahë këtë ligj dhe ka kërkuar prej partive të tjera t’i pranojnë rekomandimet e tyre.
“PDK-ja kërkon që Ligji për rimëkëmbje ekonomike të plotësohet me mekanizma financiarë, që mundësojnë qasje në para për sektorin privat, e sidomos për prodhuesit, për punëtorët dhe shërbyesit civilë, që janë në vijë të parë në luftën kundër pandemisë”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.
KOHA i ka dërguar pyetje ministres së Financave, Hykmete Bajrami, lidhur me këtë çështje, por nga zyra e saj nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Për njohësin e çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, Qeveria duhet të ketë menaxhim më të mirë gjatë pandemisë, derisa propozimet e partive i quajti “populiste e të pavlera”.
“Qeveria duhet të fokusohet te qytetarët që kanë nevojë për një infuzion kurse te bizneset duhet koncentruar te pengimi i humbjes së vendeve të punës dhe nxitja e investimeve”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka kritikuar edhe Qeverinë, edhe subjektet politike, derisa thotë se Projektligji për rimëkëmbje është shndërruar në arenë politike.
“Projektligji për rimëkëmbje ekonomike është bërë një lloj arene, ku partitë politike i kanë nxjerrë, figurativisht po them, shpatat dhe po bëjnë garën kush është më i forti apo kush ka një fuqi të caktuar brenda Kuvendit të Kosovës. Absolutisht gjithmonë në radhë të parë është te Qeveria topi që të reflektojë”, ka thënë Rukiqi.
Projektligji për rimëkëmbje u votua në lexim të parë më 12 tetor. Ai mëton të ndihmojë në rikuperimin e humbjes së bizneseve për shkak të pandemisë. I njëjti është miratuar në Qeverinë e Kosovës më 22 korrik.