Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se arsimi në Komunën e Prishtinës është keqmenaxhuar. Përmes një konference për media të dielën, zyrtari i PDK-së, Blerand Stavileci, ka deklaruar se si pasojë e mungesës së vizionit dhe keqmenaxhimit të buxhetit, arsimi në Prishtinë dhe Kosovë po degradohet dhe është bërë brengë e familjeve tona.
Stavileci ka thënë para mediave se shkollat e Prishtinës ende përballen me mungesa elementare të hapësirave fizike.
“Në vend që kjo temë të ishte prioritet për Komunën dhe Qeverinë, ajo është kthyer në brengë për prindërit dhe mësimdhënësit. Qeverisjet e të dy partive, VV-së dhe LDK-së, jo vetëm që nuk e kanë vizion, por ato janë shndërruar në pengesën kryesore të kësaj fushe, duke e degraduar në të gjitha format dhe nivelet. Tërësisht e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi gjithë këto nevoja për investime e komunës t’i teprojnë nga 20 milionë euro në vit, ndërkaq Qeveria ta shkurtojë për afro 12 milionë euro buxhetin për arsim”, ka deklaruar ai.
Tutje, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se Komuna e Prishtinës është vonuar në organizimin e objekteve shkollore me mjetet për pandeminë, në mënyrë që të fillohet viti shkollor.
Sipas saj, mohimi i asistencë sociale tek fëmijët me nevoja të veçanta, është problem i theksuar.
“Kemi mungesë të mjekut dhe psikologut në shumicën e shkollave. Problem i theksuar po del të jetë kemi të infektuar, e tërë klasa po dërgohet në shtëpi ndërsa mësimdhënësi po e vazhdon mësimin”, ka deklaruar deputetja Musliu-Shoshi.