PDK-ja bojkoton adresimin vjetor të Presidentes Osmanit në Kuvend

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk do të marrë pjesë në adresimin vjetor të Vjosa Osmanit në Kuvend, pasi sipas tyre, presidentja ka vazhduar të mos përmbushë rolin dhe funksionin kushtetues.

Osmani sot nga ora 09:30 do ta mbajë fjalimin e përvjetshëm para deputetëve.

PDK-ja ka thënë se Osmani ka dështuar edhe në fushën e politikës së jashtme, pasi nuk i ka siguruar asnjë njohje të re Kosovës.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare.

PDK-ja tutje akuzon presidenten se nuk ka vepruar si balancuese kundrejt atyre që i konsiderojnë si politika të gabuara të Qeverisë karshi ndërkombëtarëve, ndërsa kanë shtuar ajo i ka mbajtur anën kryeministrit Albin Kurti.

“Për më tepër, si presidente ka vazhduar të qëndroj e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i çasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellur dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar. Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit”, vijon njoftimi.

Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, PDK-ja ka thënë se Osmani ka heshtur përballë “skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë”.

Partia kryesore opozitare ka thënë se Osmani i ka mbyllur sytë përballë skandaleve të Qeverisë dhe ka qëndruar në një linjë me ekzekutivin për t’i sulmuar institucionet e drejtësisë, kur në fakt, siç thotë PDK-ja, duhet të ishte e kundërta.

“Nga ana tjetër, ka vazhduar të hesht edhe përballë aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë, siç nuk e ka marrë asnjë edhe një masë për shkarkimin e protagonistit të aferës së energjisë, ambasadorit Martin Berishaj, vendimi për emërimin e të cilit e mban vulën e saj. Për më keq, ka vazhduar ta mbroj ambasadorin Berishaj dhe çdo skandal tjetër që ka ndodhur gjatë këtij viti. Edhe këtë vit, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie, por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq ka vazhduar shkeljen e saj kushtetuese për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative”, thuhet tutje në reagim.

Sipas PDK-së, Osmani e ka zbehur rolin dhe rëndësinë e presidentes.

“Tashmë kur janë mbushur gati katër vite të mandatit të saj si presidente, ajo ka dështuar për të lënë një gjurmë të vetme të suksesshme për Kosovën, ndërsa roli i saj tërësisht i pavërejtshëm është kthyer në një faktor të dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”.

PDK-ja edhe vitin e kaluar e kishte bojkotuar fjalimin e Osmanit. Njëjtë pati vepruar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.