PDK: Deklaratat e këshilltarit të Kurtit skandaloze, duke akuzuar UÇK-në për vrasje u rreshtua me Serbinë kundër popullit të vet

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i konsideron skandaloze deklaratat e Shkelzen Gashit, këshilltarit të Kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti, se UÇK-ja ka kryer krime dhe vrasje të civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Pikërisht në ditën kur Albin Kurti promovoi Shkelzen Gashin, duke i dhënë mbështetje në konferencë të përbashkët për media, Gashi deklaroi se UÇK ka kryer krime.

Qëndrimet e Gashit shpërfaqin mendësinë e turpshme antishqiptare e antikombëtare të shefit të tij dhe subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje, se kushdo që ka luftuar për liri dhe që ka bartur emblemën e UÇK-së në krah është vrasës, kriminel dhe duhet të dënohet.

Pa fije turpi, ai nuk përmendi as një krim të Serbisë të kryer ndaj Kosovës, të vrasjes së civilëve shqiptarë dhe për fatin e mbi 1600 personave që rezultojnë të zhdukur. Ai zgjodhi të rreshtohej kundër popullit të vet dhe jo kundër Serbisë, e cila kurrë nuk kërkoi falje dhe nuk dha llogari për krimet në Kosovë.

Jo vetëm kaq, këshilltari i Kryeministrit e glorifikoi figurën e Dick Martyt dhe raportit të tij kundër UÇK-së për kinse vrasje të civilëve, të një njeriu i cili ishte kundër pavarësisë së Kosovës dhe raportin e tij e kishte hartuar me udhëzimet e shteteve armike të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sot u dëshmua se Kryeministri i shkarkuar Kurti dhe të gjithë njerëzit e këshilltarët e tij mendojnë sikurse Dick Marty dhe Serbia – se shqiptarët kanë kryer krime, se UÇK-ja nuk ka luftuar për liri dhe se Kosova duhet të kthehet nën Serbi.

Kjo deklaratë vjen si përshkallëzim, pas një vargu lëshimesh dhe cenimesh të interesave kombëtare që ka bërë Kurti me ekipin e tij në javët e fundit.

Kjo deklaratë poshtëruese ndaj UÇK-së e bashkëpunëtorit të Kurtit vjen pas pranimit të turpshëm të 1000 testeve lëmoshë nga Serbia që edhe sot u përmendën në Këshillin e Sigurimit, pasi zëvendësi i tij Haki Abazi shpalli për herë të parë ndarjen e veriut dhe pasi Ministri i tij Vitia dha lejen për hyrjen dhe veprimin në Kosovë të qindra zyrtarëve shtetërorë të Beogradit.

PDK kërkon nga çdo qytetar i Kosovës, çdo parti politike, çdo organizatë dhe veçmas nga anëtarë të ndërgjegjshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që ta dënojnë dhe të distancohen nga kjo mendësi që hapur dhe nën petkun shtetëror kërkon të dënohen ushtarët e UÇK-së dhe populli i Kosovës. Kjo mendësi sot ka fyer rëndë dëshmorët, invalidët e luftës, familjet e tyre dhe veteranët e luftës çlirimtare.