Me të filluar Testi për maturën shtetërore të këtij viti, nisi edhe shpërndarja e tij në rrjete sociale.
Nëpër grupe të ndryshme u pa angazhim i madh i nxënësve për kopjim, derisa në fotografitë që ka siguruar KOHA vërehet se ka të atillë që edhe ofrojnë ndihmë për këta nxënës.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, testimi gjatë ditës kaloi pa problem.
Derisa nga Ministria u tha se janë marrë masat për zhvillimin e testit dhe parandalimin e kopjimit, masa u morën edhe ndaj mediave.
Për dallim prej viteve të tjera, këtë vit nuk është lejuar prezenca e mediave brenda ambienteve shkollore gjatë procesit të testimit.
E nxënësit që iu nënshtruan këtij testi thanë se shpresojnë në rezultate sa më të mira, edhe pse humbën një pjesë të madhe të orëve mësimore.
Drejtoresha e shkollës fillore ‘’Faik Konica’’, Jehona Oruqi, tha se testimi në këtë qendër kaloi pa incidente, derisa nuk u lejua asnjë mjet komunikimi brenda në klasa.
Gjatë ditës, ka reaguar përmes një komunikate për media edhe Komisioni Shtetëror i Maturës, duke e vlerësuar të suksesshme mbajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore.
Aty thuhet se tentimet për kopjim dhe shpërndarje të testit nëpër rrjetet sociale, këtë vit kanë qenë dukshëm më të vogla se në vitet e kaluara.