Që nga konfirmimi i rasteve të para në Kosovë me koronavirus dhe ndërprerjes së shumë aktiviteteve, janë vërejtur edhe dëmet e para në ekonomi. Koronavirusi, përveç shëndetit publik, ka goditur rëndë edhe ekonominë e Kosovës, veçanërisht të ardhurat buxhetore të shtetit dhe në humbjen e vendeve të punës. Mbi 60% të bizneseve u rrezikohet mbijetesa, ndërsa mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën. Mijëra biznese janë mbyllur e shumë të tjera kanë mbetur pa para në llogari.
Më 13 mars, Qeveria e Kosovës, mori vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri. Që atëherë e deri më tani të mëdha kanë qenë pasojat që janë shkaktuar në ekonominë e Kosovës. Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë vë në pah se 30% e ndërmarrjeve kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.
Sipas këtij hulumtimi, rezulton se rreth 95% e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, prej të cilave më shumë se gjysma e tyre e vlerësojnë si shumë negative. Përqindje po aq e lartë është gjetur edhe në vlerësimin e rënies së shitjeve, ku mbi 92% e bizneseve deklaruan pakësim të shitjeve, si pasojë e masave kufizuese.
“Mbi 60% e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre. Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndihen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla, me mbi 65% të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, kurse 44.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 40% ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari është ai i ndërtimtarisë me 75%, ndjekur nga sektori i shitjes me pakicë me 57.3%, prodhimtaria me 56.6% dhe tregtia me shumicë me 54.7%”. Për sa u përket numrit të punonjësve, 30% e ndërmarrjeve të anketuara deklaruan se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.
Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 10% e tyre kanë larguar deri në 30% të fuqisë punëtore. Largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla, ku rreth 13.9% e tyre kanë larguar mbi 50% të të punësuarve.
Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia COVID-19, ndërmarrjet raportojnë kryesisht për humbje financiare, që janë 78% e të anketuarve, mungesë likuiditeti me 44%, joefikasitet në punë me 40% dhe humbje të kapaciteteve prodhuese me 27%.
Mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën
Oda e Afarizmit në Kosovë ka bërë publike disa statistika, në bazë të të cilave ka treguar se deri më tani, në Kosovë, kanë humbur punën rreth 50 mijë punëtorë, për shkak të ndërprerjes së detyruar të disa veprimtarive ekonomike.
“Se sa do të rritet niveli i papunësisë, kjo do të varet se sa do të mbështeten bizneset në këtë kohë nga shteti. Për aq kohë sa shteti nuk i mbështet bizneset që të kenë likuiditet apo t’i ndihmojnë financiarisht, atëherë papunësia do të jetë shumë më e madhe sesa tani. Ne mendojmë që të paktën 50 mijë punëtorë deri më tani kanë mbetur pa punë”.
Rritjen e numrit të papunësisë e kishte paralajmëruar edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). BQK ka pohuar se pamundësia e bizneseve për të ushtruar aktivitetin në mënyrë normale do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien e konsumit. Mbi 23% e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri.
Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18% e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosovës i nevojitet një “Plan Marshall”, në mënyrë që të shpëtojë ekonominë e saj, i cili është promovuar ditë më parë edhe nga Komisioni Europian.
“Para disa ditësh e kam thënë dhe analizat e mia më kanë shtyrë që të publikoj një artikull, ku duhet që Kosova të përgatitet për një Plan Marshall, i cili është vërtet provomue edhe nga Komisioni Europian, i cili do të jetë pak më ndryshe nga ai i vitit 1948, pas Luftës së Dytë Botërore. Ju e dini që efektet pandemike do të jenë shumë të mëdha, ekonomia do të jetë e shkatërruar dhe në këtë drejtim, rimëkëmbja ekonomike do të jetë prioritet i vendeve europiane dhe më gjerë, dhe në këtë drejtim Kosova duhet të jetë pjesë e një plani të tillë”.
Ai ka thënë se Kosova, viteve të fundit, nuk ka pasur raporte të mira me institucionet financiare ndërkombëtare.
“Ajo çka e dëmton realitetin kosovar është fakti se që dy vite ne kemi pasur raporte të prishura me institucionet kredibile financiare, si FMN dhe Banka Botërore, pra nuk kemi pasur raporte kontraktuale dhe po e shihni sa e rëndësishme qenka partneriteti me këto institucione”. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së fundi, thotë se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.
Raporti i FMN-së vë në pah se, përkundër përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për t’i lehtësuar këto pengesa, këto shtete do të duhet t’i përqendrojnë shpenzimet drejt sektorit të shëndetësisë dhe, në të njëjtën kohë, t’i mbrojnë shërbimet kryesore publike: transportin, energjinë, komunikimet dhe mbrojtjen sociale.
“Teksa shtetet do të mundohen të ballafaqohen me pandeminë dhe izolimi të mbarojë, stimujt fiskalë, të koordinuar në varësi të kufizimeve financiare të vendeve, do të bëhen një mjet më efektiv për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike”. Edhe Kosova pritet të pësojë tronditje ekonomike pas përfundimit të pandemisë. Humbjet e mëdha ekonomike do të kërkojnë strategji për rimëkëmbjen. Shumica e bizneseve kanë pasur humbje financiare, humbje të kapaciteteve prodhuese, si dhe mungesë likuiditeti.