Rreth 98 për qind e mediave në Kosovë kanë deklaruar se pandemia COVID-19 kanë ndikuar në funksionimin e tyre si biznes, kurse rreth 3 për qind prej tyre thonë se koronavirusi nuk ka ndikuar deri tani në funksionimin e tyre. Por 63 për qind e kompanive mediale thonë se rrezikojnë të mbyllen nëse vazhdon tutje pandemia.
Këto shifra u bënë të ditura nga hulumtimi “Efekti i pandemisë Covid-19 në mediet e Kosovës”, i bërë nga Instituti i Medies në Kosovë në bashkëpunim me kompaninë “D@D”.
Kryetari i bordit të Institutit të Mediave në Kosovë, Fazli Veliu thotë se COVID19 ka shkaktuar dëme të mëdha tek mediat në Kosovë e në veçanti tek ato lokale.
“COVID-19 padyshim se ka shkaktuar dëme të mëdha tek mediet në Kosovë sidomos tek ato lokale të cilat janë më të goditura të cilat edhe ashtu kanë qenë në gjendje të rëndë… Kërkesat e Institutit të Medieve të bërë më 1 prill për mbështetje të gazetarëve në këtë hulumtim e kanë konfirmuar atë që kemi deklaruar më herët se është e nevojshme të mbështeten shumë. Andaj u bëjmë thirrje edhe njëherë qeverisë së Kosovës që gazetarët të futen në një pako ndihmëse krahas personelit mjekësor, policisë dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve publike sepse në kohë pandemie edhe kolegët tanë janë në shërbim të publik me qëllim të informimit dhe raportimit të drejt të tyre. Qeveria nuk i përfshiu gazetarët tek pagat e ashtuquajtur heronj, që i kemi quajtur kështu. IMK i bën thirrje Komisionit të Pavarur të Medieve të lirojë nga taksa vjetore mediet elektronike për vitin 2020 e cila në program është të paguhet deri më 30 qershor. Në kohën e pandemisë mediet kanë punuar dhe kanë bërë shpenzime, kurse në hulumtim pronarët e medieve kanë deklaruar se marketingu si shtyllë kryesore ka pasur rënie drastike kurse shpenzimet kanë qenë të njëjta, çka e ka vënë në dyshim të ardhmen e shumë medieve”, tha ai.
Safet Fazliu nga kompania “D@D”, tha se në këtë hulumtim respodent kanë qenë 92 kompani mediale duke përfshirë TV, radio, gazeta e portale.
Hulumtimi “Efekti i pandemisë Covid-19 në mediet e Kosovës”, tregon se 97.7 për qind e mediave në Kosovë janë ndikuar nga kjo pandemi, kurse 2.3 për qind kanë thënë se nuk janë ndikuar së paku deri tani.
Derisa hulumtimi thekson se ka rënie edhe të marketingut si burim financiar i mediave 63 për qind e mediave kanë deklaruar se rrezikojnë të mbyllen në rast se zgjat pandemia COVID-19.