Një fotografi e ushqimit që iu shërbehet pjesëtarëve të Njësisë Speciale në Bërnjak, që po mbajnë rendin në veri, është bërë virale në rrjete sociale.
Sipas kësaj fotografie, shujta që iu shërbehet pjesëtarëve të Speciales është një pashtetë me një copë bukë dhe jogurt.
Ndryshe, qytetarët serbë edhe gjatë të martës kanë vazhduar protestën, duke bllokuar rrugët që shpiejnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator nga Kuvendi i Kosovës, se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.
Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie edhe më 20 shtator, kur ka nisur të zbatohet kjo masë.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa.