Pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë nga ana e Kosovës, janë 16 kamionë me mallra që janë zhdoganuar me procedurë të rregullt, kurse një maune është kthyer mbrapa.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
“Në procedurë doganore deri më tani janë 16 maune me mallra me origjinë të Serbisë. Duke u bazuar në vendimin e qeverisë për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë, ky vendim kërkon që për të gjitha certifikatat si fitosanitare po ashtu edhe veterinare si dhe dokumentacioni shoqërues të janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nëse dokumentacioni nuk është sipas vendimit të gjitha dërgesat do të kthehen pas”, tha Stavileci.
Ai thotë se një maune është kthyer mbrapa në mungesë të dokumentacionit. “Një maune është procedurë kthimi pasi nuk ka pasur certifikatë fitosanitare dhe në mungesë të dokumentacionit është kthyer”, shtoi zëdhënësi Stavileci.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit tregtar.
Ky vendim do mbetet në fuqi deri më 15 qershor, kur do të bëhet edhe vlerësimi i zbatimi të tij.
Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.