Numri i rasteve pozitive me COVID-19 po shkon duke u rritur.
Në 24 orët e fundit, nga afër 1800 mostra të testuara, 730 prej tyre kanë rezultuar pozitive, duke shënuar numrin më të lartë të rasteve ditore deri tani.
Gjithashtu, nga infektimi me COVID-19 kanë vdekur edhe 11 persona, duke e çuar numrin në 755.
E mbyllja e 7 komunave në vikend, sipas një burimi brenda Komitetit për menaxhimin e pandemisë, ka ardhur si pasojë e daljeve të shumta që bëhen të premten dhe të shtunën, raporton KOHA.
Sipas këtij burimi, mbyllja ka qenë një test, rezultati i të cilit do të dihet pas 1 jave apo 10 ditësh.
Përderisa nuk dihet nëse këto masa do të vazhdojnë edhe vikendeve të tjera, porse ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, shkurt i ka thënë televizionit se vlerësimet vijnë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe se ende nuk janë në gjendje që të bëjnë një vlerësim se a ka qenë i suksesshëm vendimi për mbylljen në vikend të 7 komunave.
Nga Ministria e Shëndetësisë për KOHËN kanë thënë se gjatë javës që po vjen, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë do të bëjë vlerësimin e gjendjes epidemiologjike, rrjedhimisht edhe të masave në fuqi.
Në anën tjetër, komunat kanë kërkuar takim me ministrin, në mënyrë që ta kenë sa më të qartë situatën se si do të veprohet tutje.
Gjatë ditës, Zemaj, megjithatë, ka pritur në takim Berat Rukiqin e Arian Zekën nga Oda Ekonomike e Kosovës, respektivisht ajo amerikane në Kosovë, Petrit Kllokoqin nga Shoqata e Gastronomëve dhe Hysen Gogojevën nga Oda Hoteliere.
“Janë të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, por të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik”, ka shkruar Zemaj pas takimit.
Rekomandimet që i ka marrë gjatë takimit, ministri tha se do t’i diskutojnë me kryeministrin Hoti, që masat e marra të jenë me efekt më të lehtë për të gjithë.