Në kohën kur presidentja e vendit ka thirrur partitë politike për caktimin e datës për zgjedhjet lokale, subjektet politike përfshirë të gjithë ato ende nuk kanë vendosur se kush në cilat komuna do të garoj për kryetar komunash, në përjashtim të disa rasteve të vogla që tashmë janë publike emrat e kandidatëve.
E kështu po ndodh edhe në qytetin e Mitrovicës, ku asnjë parti politike zyrtarisht ende nuk ka dalë me emrat se kush do t`i hyjë garës për ta marrë Mitrovicën, në një mandat katër vjeçar.
Bedri Hamza, është njëriu më i përfolur nga PDK që do t`i prij kësaj partie për ta rikthyer komunën, që dikur kishte udhëhequr disa vjet më të.
Hamza në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se është ende duke e menduar si opsion kandidaturën e tij, por që katër muaj para se zgjedhjet të mbahen, ai thotë se ende nuk ka asgjë zyrtare.
“Ende nuk ka asgjë. Jam duke e analizuar si opsion kandidimin”, ka thënë Hamza për Gazeta Blic.
Sipas tij, nëse ai do të vendoste për t`i hyrë kësaj gare, më pas do të vendoste partia në Qendër për këtë.
“Në rast se do të jem unë kandidati do t`i paraqes organeve të partisë këtë dhe më pas vendos partia”, ka thënë nënkryetar aktual i PDK-së, Bedri Hamza.
Gara për kryetar të Mitrovicës do të jetë ndoshta më e “nxehta”, pas asaj të Prishtinës.
Jo zyrtarisht Gazeta Blic ka mësuar, se atje si opsion përmendet që Lista Guxo e Vjosa Osmanit do ta kandidoj ministrin aktual të Bujqësisë, Faton Pecin kandidat për kryetar të komunës.
Kryetari aktual Agim Bahtiri përveç se ka deklaruar publikisht se do t`i hyjë garës për mandatin e tretë si kryetar, ende nuk dihet se nën cilën subjekt politik do të garoj – Si i pavarur apo do të marrë bekimin e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë garë.
Ambicie ka shfaqur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, i cili vjen nga qyteti i Mitrovicës.
LDK si opsion e ka përmendur Flutura Beka Kamberaj, por që ende nuk ka asgjë zyrtare.