Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Kim Jong-Un në rrezik për jetën – e tëra po i ndodh për shkak të duhanit dhe mbipeshës

SHBA-të janë duke analizuar me vëmendje informacionet e agjencive inteligjente sipas të cilave lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, është në rrezik për jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale që ka pasur, raporton CNN duke u thirrur në deklaratën e një zyrtari të paemëruar amerikan.

Kim Jong-Un nuk kishte marrë fare pjesë në ditëlindjen e gjyshit të tij që zakonisht e festojnë në këtë vend më 15 prill, gjë që ka nxitur edhe më shumë dyshime se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

Për herë të fundit kur është parë në opinion ishte katër ditë para 15 prillit, ku kishte mbajtur një takim anëtarët e qeverisë së vendit të tij. Në anën tjetër një zyrtar tjetër amerikan ka konfirmuar për CNN se ekziston brenga që gjendja shëndetësore e Kim Jong-Un nuk është e mirë.

Gazeta online e Koresë së Jugut, “Daily North Korea”, që ka për fokus ngjarjet në Korenë e Veriut, ka raportuar se Kim Jong-Un më 12 prill i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike – më saktë thënë ka pasur probleme kardiovaskulare pas konsumimit të tepër të duhanit, mbipeshës dhe orëve të gjata të punës.

Por edhe pse CNN nuk i ka konfirmuar këto informacione, një burim i paemëruar pretendon se pas kësaj ndërhyrje lideri verikorean po shërohet në vilën që e ka në Hiangsan, ku nga afër po monitorohet nga mjekët.

Këshilli për Siguri Kombëtare dhe Zyra e Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, kanë refuzuar të komentojnë në pyetjen e CNN lidhur me gjendjen shëndetësore të liderit të Koresë së Veriut.