Pas konsumit, rriten edhe kreditë për blerjen e shtëpive


Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar disa të dhëna interesante rreth llojit të kredive që po mbizotërojnë në sektorin bankar në Kosovë.

Në tremujorin e parë të vitit 2022 vërehet një rritje e kërkesës për kredi nga qytetarët pët ta financuar konsumin, si dhe për blerjen e shtëpive.

Këto dy lloje të kredive kanë shënuar rritjen më të madhe, sipas raportit “Anketa e Kreditimit Bankar” të publikuar së fundi nga BQK.

“Nëse e zbërthejmë kërkesën kreditore sipas llojeve të kredive për ekonomitë familjare, rezulton që kërkesa për kredi konsumuese shënoi rritje me indeks pozitiv prej 0.22, ndërsa kërkesa për kredi për blerjen e shtëpive shënoi rritje me indeks pozitiv prej 0.18”, thuhet në raport.

Saktësisht, pesë banka, sipas BQK-së, kanë raportuar për rritje të kërkesës për këto dy lloje të kredive.

“Nëse krahasojmë rezultatet aktuale të kërkesës për kredi me pritjet e bankave të deklaruara në anketën e kaluar për të njëjtën periudhë, niveli aktual i rritjes së kërkesës është më i lartë për të dy llojet e kredive”.

Sipas raportit, faktorët që ndikuan pozitivisht dinamikat në kërkesën për kredi ishin nevoja për financimin e shpenzimeve të konsumit dhe në një nivel të ulët pozitivisht ndikoi edhe perspektiva e tregut të patundshmërive.

Këto dy lloje të kredive i prijnë listës si më të kërkuararat nga klientët bankar në Kosovë edhe sipas një ankete të Institutit GAP.

53 për qind e respodentëve janë deklaruar për llojin e kredisë konsumuese/ personale, ndërsa e dyta në listë është “Kredi për blerjen e shtëpisë” me 17 për qind. 6 për qind janë deklaruar se kanë hyrë kredi për të blerë veturë dhe po kaq kredi për zgjerimin e biznesit.