Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka bërë të ditur se sot do të mbahet seancë urgjente në këtë komunë.
Zeqiri ka thënë se rendi i ditës është për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit.
Ai njoftimin për seancë tha e ka marrë mbrëmë vonë.
“Sapo mora informatën se nesër kemi seancë urgjente në objektin e komunës. Rendi i ditës është për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit, kjo është në bazë të asaj çfarë më ka thënë kryesuesi i Kuvendit”, deklaroi ai për Teve1.
Këtë e konfirmoi për RTK-në edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ndërkohë, ka kaluar një vit prej kur morën pozitat e kryetarëve të dy komunave veriore, Izmir Zeqiri e Ilir Peci dhe ende detyrën e ushtrojnë nga zyrat alternative në fshatrat Çabër e Lipë.
Bojkoti i qytetarëve të Zubin Potokut e të Zveçanit për të votuar për shkarkimin e tyre më 21 prill, u ka hapur rrugë atyre që detyrën ta ushtrojnë nga zyrat në komunë.
Kryetarët e këtyre dy komunave veriore, patën hyrë në objektet e komunave që udhëheqin më 26 maj të vitit të kaluar, nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës. Por më 29 maj 2023 iu pamundësua hyrja nga protestuesit serbë.
Para komunës së Zveçanit, protesta kishte eskaluar në dhunë, duke lënë të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Nga atëherë, kryetarët e këtyre dy qyteteve kishin ushtruar detyrën nga zyrat alternative në fshatra.
Shkuarjen e tyre në zyrat e komunës e ka kërkuar edhe kryeministri Albin Kurti, pas bojkotit të votimit të së dielës nga serbët, për shkarkim të kryetarëve shqiptarë.