9 persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit nga Covid-19, duke e çuar numrin e të vdekurve në 236. Në 454 mostrat e IKSHPK-së, 224 persona kanë rezultuar pozitivë.
Të shtunën, drejtuesit e IKSHPK-së kanë tërhequr vërejtjen se situata po shkon duke u rënduar, raporton KOHA.
Vetëm brenda 3 ditëve, në Kosovë 40 persona kanë vdekur nga Covid-19. Kjo ka bërë që ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të paralajmërojë ashpërsim të masave.
Megjithatë, Armend Zemaj nuk mundur të tregojë konkretisht se cila janë këto masa, derisa ka kritikuar sjelljen e gastronomeve dhe të disa qytetarëve, të cilët, sipas tij, u panë në disa grumbullime.
Në klinikat e QKUK dhe në spitalet rajonale janë të shtrirë 599 pacientë, ku 257 janë të shtrirë në QKUK.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së ka thënë se situata është jashtëzakonisht e rëndë.
E këtë të shtunë, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, u dha një detyrë të pazakontë komandanteve të policisë. Derisa tha se policia nuk do të ketë konsideratë për asnjë qytetar i cili nuk i zbaton masat.
Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat janë të gatshme që t’i zbatojnë masat që do të ndërmerren nga ekzekutivi.
Në Kosovë, deri më tani, janë mbi 8 mijë persona të infektuar, ku mbi 4 mijë janë shëruar dhe mbi 3 mijë raste mbesin aktive.