Opozita thotë se rezultati i LVV-së në zgjedhjet e ardhshme do të bie shumë, ndërsa kryeministri ka kërkuar që ai i fundit “të përsëritet e të tejkalohet”. Partia e Kurtit megjithatë nuk përmend më “vija të kuqe”, siç bënte në të kaluarën. PDK-ja thotë se kandidati Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm, duke mos e përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve. LDK-ja thotë se nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie në krye të së cilës nuk do të jetë kryetari i saj, Lumir Adbixhiku. AAK-ja, si një prej partive më të zëshme kundër qeverisjes aktuale, e cila do të garojë në një koalicion parazgjedhor, thotë se “po vjen koha e ndryshimit”, por ende i paqartë mbetet pozicioni i kësaj partie për atë se çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë në një mbledhje të partisë më 15 shtator se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 (50.28%), që ia mundësoi të qeveriste pa koalicion, duhet “të përsëritet e të tejkalohet”.
Në Lëvizjen Vetëvendosje megjithatë nuk i përmenden vijat e kuqe për koalicion paszgjedhor me ndonjë parti tjetër që tash është në opozitë, rrjedhimisht, ky opsion nuk përjashtohet.
“Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për t’u përgatitur për zgjedhje sesa tani. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani. Andaj edhe rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet, e të tejkalohet”, iu tha Kurti bashkëpartiakëve në atë mbledhje.
Kreu i Qeverisë nuk i kursen sulmet ndaj partive opozitare, ndërsa zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 po afrohen.
“Regjimi i vjetër e ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para te media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”, tha Kurti më 27 shtator në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste në New Yort të SHBA-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kishte insistuar shumë që vendi të shkonte në zgjedhje para kohe, madje ishte optimist se kjo do të arrihej pas një darke me Kurtin në maj.
Meqenëse për zgjedhje të parakohshme Qeveria kërkonte të merrej vesh edhe me dy partitë tjera opozitare, shpërndarja e Kuvendit nuk ndodhi pasi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkonin që kryeministri të jepte dorëheqje paraprakisht. Nga LDK-ja dhe AAK-ja dolën hipoteza se PDK-ja e LVV-ja mund të ishin pajtuar për një koalicion paszgjedhor, gjë që u mohua nga Krasniqi.
Krasniqi shprehet i bindur se Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për kryeministër, do ta marrë drejtimin e vendit pas zgjedhjeve të rregullta.
“Bindja ime e plotë dhe absolute është se kryeminsitër i ardhshëm është Bedri Hamza, PDK-ja është në garë për vendin e parë”, tha Krasniqi të mërkurën në një intervistë në RTV21.
Ai kujtoi se “PDK nuk ka thënë asnjëherë se do ketë vija të kuqe për partitë”, ndërsa shtoi se nuk e preferon “aspak” një koalicion me LVV-në.
Vetë Hamza, që synon postin e kryeministrit, thotë se nuk vendosin vija të kuqe pasi “të gjitha partitë janë të Kosovës” dhe “partitë i votojnë qytetarët e Kosovës”.
Ai tha më 26 shtator në RTV Dukagjini se PDK-ja nuk e përjashton asnjë parti nga “diskutimi për bashkëpunim”.
Megjithatë, ai tha se preferon një koalicion me LDK-në “për shkak të programit, koncepteve politike”.
“Me LVV-në, për shkak të dallimeve konceptuale, të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar”, tha Hamza.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të synojë që të jetë ai kryeministri i ardhshëm i vendit. Përndryshe, ai thotë se nuk përfshihen në qeverinë e re.
Ai tha se nuk do të pranojë t’i bëjë vota Kurtit as në qoftë se këtë do t’ia kërkonte SHBA-ja, e as në qoftë se do të ketë krizë politike.
“Nuk dëgjoj për atë punë. Nuk e bën Lumiri më”, tha Abdixhiku më 21 shtator në një intervistë për “KallxoPërnime”.
Rrugën e Kurtit e konsideron të dëmshme dhe thotë se nuk do të kontribuojë në të. “Rruga e Re” quhet programi i LDK-së.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi probleme të thella ideologjike, politike dhe besa edhe të mirëbesimit. Kështu që është hendek i madh”, tha Abdixhiku.
Nënkryetarja e kësaj partie, Hykmete Bajrami ishte edhe më e qartë.
“LDK-ja është në qeveri me Abdixhikun. Nëse ai nuk është kryeministër, LDK-ja nuk është në qeveri. Vetëm me kryeministër Lumir Abdixhikun”, i tha ajo Paparacit më 26 shtator.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është më i zëshmi në kritikat e akuzat ndaj Qeverisë. Ai thotë se “po vjen koha e ndryshimit” dhe premton kthimin e vendit “në mesin e shteteve normale”. Por mbetet ende i paqartë pozicioni i kësaj partie për atë se çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve. Daut Haradinaj, vëllai i ish-kryeministrit, një eksponent i rëndësishëm në këtë parti, së fundmi nuk e mohoi mundësinë e një koalicioni me LVV-në, për të cilët tha se “shqiptarë janë” dhe se nuk ka “asgjë personale”.
Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 po afrohen, opozita thotë se atë të dielë do të shënohet edhe fundi i kësaj qeverisjeje. Synimi i partive opozitare duket të jetë që pushteti të mos jetë më në duar të partisë së Kurtit, apo të paktën jo krejtësisht në duar të saj. Ato e kanë shtuar angazhimin, ndërsa diskursi i qeveritarëve është bërë më elektoral në vitin e fundit të Qeverisë së LVV-së. /Express/