Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur partitë politike me 216 mijë e 350 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e zgjedhjeve.
Sipas njoftimit, ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për deputet, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe subjekte tjera.
PZAP njofton se prej 10 ankesave të shqyrtuara, Paneli ka vendosur që t’i pranoj si të bazuara 2 ankesa, 1 ankesë e ka refuzuar si të pabazuara, 2 ankesa i ka hedhur si të palejuara, 5 ankesa i ka hedhur si të pasafatshme.
“Përkitazi me ankesat e lartcekura, PZAP ndaj subjekteve politike ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej: 1,200.00 euro, për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes. Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë: Thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit, respektivisht shpërndarja e SMS-ve tek qytetaret thirrje për të votuar subjektin e caktuar politik”, thuhet në njoftim.
PZAP-ja thotë se për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes, nga ana e subjekteve politike, Mbështetësve dhe përkrahësve të tyre, gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore si dhe në ditën e zgjedhjeve, ndaj tyre ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej: 216,350.00 €.
PDK-ja është gjobitur me 66,100.00 euro, AAK-ja me 52,750.00 euro, LVV-ja me 44,700.00 euro, LDK-ja me 28,600.00 euro, NISMA me 22,000.00 euro dhe Lista Srpska me 2,200.00 euro.