Parandalohen dy raste të kontrabandimit me armë dhe paisje tjera ushtarake në Merdar

Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë arritur të zbulojnë dy raste të kontrabandandës.

Sipas të dhënave zyrtare, mjetet e gjetura janë paisje ushtarake.

Ato dyshohet se kanë ardhur prej Austrisë dhe Italisë.


Njoftimi zyrtar:

Gjatë javës së kaluar zyrtarët e Doganës së Kosovës në vendkalimin kufitar Merdarë kanë arritur të zbulojnë dy raste të tentimit të kontrabandës së armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake. Zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia. Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollat me skaner ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale.

Pas zbulimit, konform kompetencës ligjore, rastet i janë kaluar Policisë Kufitare për procedim penal ndaj personave përgjegjës.

Tani që frekuentimi i vendkalimeve kufitare është shumë i lartë, zyrtarët doganor janë vënë në shërbim të qytetarëve tanë nga diaspora dhe njëherit janë të përkushtuar të zbatojnë kontrolla të shënjestruara, për të parandaluar keqpërdorimet e ngarkesës në vendkalime nga persona të prirë në kriminalitet. Ky është balanci që synon të mirëmbajë Dogana e Kosovës gjatë zbatimit të misionit të saj- kalim të lehtësuar por të sigurtë të kufirit shtetërorë.