Komuna e Prishtinës, Ferizajt, Prizrenit dhe Vushtrrisë nga sot do të kenë kufizim të lëvizjes për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me koronavirus. E, përveç këtyre komunave kufizim të lëvizjes mund të ketë edhe në qytete tjera të Kosovës.
Drejtori i zyrës për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se rritja e numrit të personave të infektuar me COVID-19, është si pasojë e mosrespektimit të masave .
“I bëjë thirrje qytetarëve të heqin dorë nga disa aktivitete që po ndikojnë në mbjelljen e virusit. Disa aktivitete të ndryshme që kanë ndodhur ilegale, dasmat e ahengje e deri te trendi i lëvizjes në bregdete gjatë vikendit kanë bërë që të kemi situatën e ngarkuar. Shifrat tregojnë se si jemi sjell ne si shoqëri”, deklaroi ai.
Më tej, Hoti tha se Qeveria e Kosovës kishte synim lirimin e masave, por që disa biznese e kanë keqpërdor mirëbesimin e shtetit dhe nuk kanë respektuar masat.
“Qeveria ka kërkuar nga ISHKP që me automatizëm që secila komunë që ka rritje të numrit do të përjetoj fatin që të futet në kufizimin e lëvizjes”, theksoi ai.
Si përfundim, Hoti tha se muaji korrik do të jetë muaji i vështirë sa i përket pandemisë COVID-19.
“Në bazë të asaj që ka rrjedhë, në këtë muaj duhet të bëhemi gati që të jetë muaj i vështirë, por duhet të bëhemi gati që në muajin tjetër të jemi më mirë”, pohoi ai për RTV Dukagjinin.
Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 3 mijë e 508, 1 mijë e 902 prej të infektuarve janë shëruar, kurse janë regjistruar edhe 75 raste të vdekjeve të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Aktualisht, në vendin tonë raste aktive janë 1 mijë e 531.