Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka paralajmëruar rritje të faturave të energjisë elektrike, që sipas tij, vjen si pasojë e rritjes së importit të energjisë elektrike e cila ka mbërritur çmime stratosferike.
Buzhala thotë se rritja e faturave të energjisë elektrike ndikohet nga shumë faktorë, megjithatë shtoi se sinjalet janë jashtëzakonisht të këqija për atë çka mund të ndodhë në muajt në vazhdim.
“Nuk mund të spekulojmë, pasi janë një sërë faktorësh, sa do të jetë kërkesa për konsum, çfarë temperatura do të mbajnë, sa do të ngrohen qytetarët tanë me energji elektrike, sa do të jenë çmimet e importit, pasi aktualisht janë në stratosferë, janë katërfish më të shtrenjta. Është sinjal jashtëzakonisht i keq për atë që do të mund të ndodhë pas disa muajve. Shumica e konsumit është duke u prodhuar në vend, ende nuk ka nevojë për blerje. Do të shikohet mundësia me të gjithë akterët e përfshirë”, deklaroi Buzhala në emisionin “SOT” të KTV-së.
Buzhala tutje potencoi se në këto 20 vjetët e fundit janë bërë shumë gabime, pasi në vend që të rritet eksporti, është rritur importi.
“Ne si vend kemi dështuar. Kemi 14 tonë miliardë të qymyrit dhe nuk kemi arrit t’i mbulojmë as kërkesat e brendshme të energjisë elektrike. Kemi kërkesë e cila shkon në 1200/1300 mwh (megavat) në pikun e dimrit dhe kemi 400/500 mwh mungesë dhe kjo situatë është alarmante, ndërsa çmimet në botë janë rritur në mënyrë astronomike. Po flasim për çmime 200 mwh importi, nëse e blejmë 200 euro mwh i bie diku 100 mijë euro në orë. Po flasim për shuma marramendëse. Kemi mundur t’i eksportojmë këto e jo t’i importojmë, ta varfërojmë ekonominë e cila ashtu kështu është veçse e varfëruar. Janë bërë gabime në këto 20 vjetët e fundit”, shtoi Buzhala.
Buzhala ndër të tjera deklaroi se Kosova duhet të ndërtojë termocentralin e ri dhe të tregojë se mund të prodhojë pa e rritur emetimin e dioksidit të karbonit.