Paralajmërohet protestë më 5 prill kundër shtrenjtimit të rrymës

Një protestë qytetare është paralajmëruar të mbahet të shtunën e 5 prillit në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës.

Grupi “Asnjë cent ma shumë” ka njoftuar se kjo protestë do të nisë nga ora 15:00 në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë. 

Në njoftim thuhet se po protestohet kundër rritjes së tarifave për 15 për qind, kundër varfërisë energjetike, për zë qytetar dhe transparencë, si dhe për tarifa të drejta dhe jetë me dinjitet. 

Një ditë më parë, Auron Doli, protestues, ka deklaruar se çmimi aktual i energjisë elektrike është i lart, derisa ka bërë thirrje që ai të ulet, e jo të ngrihet, siç është paralajmëruar.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” se duhet të shihet si opsion bojkoti i plotë i qytetarëve lidhur me pagesën e energjisë elektrike, si formë proteste ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji.