Në seancën e ardhshme të gjykimit në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe të Rexhepit, do të dëgjohet dëshmia e një dëshmitari ndërkombëtar.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennet, i ka thënë KOHËS të martën se ky dëshmitar do të dëshmojë në seancë të hapur.
“Dëshmitari tjetër është një dëshmitar ndërkombëtar. Ai do të dëshmojë pa masa mbrojtëse. Dëshmia e tij fillon në orën 14:30 në gjykatë dhe në orën 15:15 nëpërmjet transmetimit”, thuhet në njoftimin e Bennetit.
Të martën u dëgjua dëshmia e Agim Idrizi, e pas pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, ai është shprehur se Enver Axhami dhe familjarë të tij e kanë rrahur atë.
Idrizi ka akuzuar Axhamin se në emër të UÇK-së, i ka rrahur të afërmit e tij. Megjithatë, ka treguar për problemet që kishin me familjen Axhami që para luftës, pastaj probleme për një tokë dhe akuza e kundër akuza në mes këtyre dy familjeve.