Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka qëndruar sot në Kosovë ku është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sonte O’Brien, në Kanal 10 ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e dhëna në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Ai ka theksuar se është momenti që Kosova të përkufizojë pamjen e vet, ndërsa ka shtuar se “Kurti e kupton këtë”.
“Dëshiroj që ato të zbatojnë plotësisht zbatimet e marra me marrëveshje. Jemi në një çast interesant, kur kryeministri Kurti, mendoj se e kupton se ka mundësi për të thënë, kjo është se si duam që Kosova të duket dhe që të formësojë mënyrën se si reagon bashkësia ndërkombëtare”, tha ai.
Tutje, diplomati amerikan, theksoi se rritja ekonomike e të dyja vendeve mund të bëhet nëse ato zbatojnë marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit, duke theksuar se “kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.
“Ndërsa mendoj se edhe presidenti Vuçiq e sheh si një mundësi që të rritet ekonomia shumë më shumë se që është rritur dhe Serbia ka pasur rritje të mirë ekonomike kohëve të fundit, por që të ketë rritje edhe më të madhe, duhet që të ketë një akomodim politik përgjatë viteve të ardhshme përkitazi me Kosovën. Mënyra më e mirë është përmes marrëveshjes bazë dhe aneskit të Ohrit, kjo është mënyra për të ecur përpara.”, tha O’Brien.
Në të kundërten, ai theksoi se nëse do të ketë ngecje sërish në dialog, të dyja vendet do të humbasin, siç i quajti ai, “mundësitë e hatashme” për vendin e tyre.
“Mendoj se sanksioni kryesor është se të dyja vendet e kanë humbur një mundësi të hatashme për vendin e tyre”, tha ai.