Sindikalistët në Kosovë kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme pasi siç theksojnë ata Qeveria e Kosovës nuk po i përfill kërkesat e tyre e as nuk po i fton në takim për të diskutuar rreth Ligjit të Pagave.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, ka bërë ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, universitetet, por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme, raporton Telegrafi.
Ai ka thënë se kërkesat e tyre janë 100 euro shtesë në paga, derisa ka shtuar me 10 gusht do të mbajnë edhe një mbledhje e jashtëzakonshme me kryesinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
E lidhur me këtë është deklaruar sot kryeministri Kurti, i cili në një konferencë për media ka thënë se janë duke punuar që ta finalizojnë sa më shpejtë Projektligjin e Pagave dhe ta nxjerrin pastaj për diskutim publik.
“Projektligji për pagat nuk është shtyrë për vitin e ardhshëm. Përkundrazi, jemi duke punuar që ta finalizojmë dhe sa më shpejtë ta nxjerrin në diskutim publik”, u shpreh Kurti.
Ndryshe, Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars, ashtu siç ishte premtuar nga Qeveria Kurti. Ndërsa, ende nuk dihet se kur mund të shkojë për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend.
Në programin legjislativ ishte paraparë që ky projektligj të trajtohet me 30 mars 2022.