Pandemia nuk e ndal diasporën, rriten remitencat

Përkundër që Banka Qendrore e Kosovës kishte paralajmëruar rënie të remitencave për 4.7 për qind, për shkak të pandemisë COVID-19, një gjë e tillë nuk ka ndodhur

Dërgesat familjare të mërgimtarëve kanë qenë për 27.8 milionë euro më të larta në gjashtë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti mërgimtarët kanë dërguar 433.2 milionë euro.

Kjo vlerë në vitin e kaluar ishte 405.4 milionë euro.

Rënie ka pasuar vetëm në mars dhe prill, muajt kur ka filluar pandemia në Kosovë. Por ajo është përmbysur në dy muajt e kaluar, kur ka pasur rritje të remitencave për 33.7 milionë euro.

Për kryetarin e Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, kjo rritje e remitencave është shumë e mirë për ekonominë e vendit.

“Kjo është rezultat i asaj që diaspora pavarësisht që nuk ka ardhur ka vazhduar të kujdeset për pjesën e familjes që janë këtu dhe ndoshta një pjesë të mjeteve që nuk ka arritur t’i shpenzojë gjatë muajve të verës, gjatë pushimeve në Kosovë, vetëm i ka dërguar përmes dërgesave që realizohen përmes sistemit bankar. Normalisht kjo është shumë mirë për ekonominë e vendit”, ka thënë Rukiqi.

Ai e pret që edhe gjatë muajve të tjerë të vitit të vazhdojë ky trend i dërgesave nga diaspora.

Më së shumti mjete janë dërguar nga Gjermania, Zvicra, SHBA, Italia, Austria e Franca.

Në këto statistika nuk janë përfshirë më shumë se 700 mijë euro që mërgimtarët i kanë dërguar si mbështetje për luftë ndaj koronavirusit, në llogarinë e hapur nga ish-Qeveria Kurti.