Pandemia mbylli mbi 2600 biznese në Kosovë


Për nëntë vjet, Arben Jonuzi ka udhëhequr një biznes në sektorin e akomodimit në Prishtinë.

Dy banesa të marra me qira i ka shndërruar në bujtinën “Hostel Han”.

Aty janë akomoduar turistë nga e gjithë bota deri në vitin 2020, kur edhe ka nisur pandemia e koronavirusit dhe Arbeni është detyruar ta mbyllë biznesin.

“Ka qenë shumë mirë. Iu kemi mundësuar turistëve që të udhëtojnë dhe të flenë me çmime të lira. Por, kur ka ndodhur pandemia, janë mbyllur kufijtë. Kishim edhe shtatë ose tetë mysafirë, të cilët u bllokuan në ‘Hostel Han’, e të cilët u larguan pas hapjes së kufijve”, tregon Arbeni për Radion Evropa e Lirë.

Me shpërthimin e pandemisë, në mars të vitit 2020, shumica e shteteve i kanë mbyllur kufijtë me muaj të tërë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Shumë fluturime janë anuluar dhe udhëtimet janë kufizuar në minimum.

Arbeni e dinte se kështu nuk mund të vazhdonte punën dhe, në korrik të vitit 2020, e mbylli bujtinën, ku kishte të punësuar katër persona.

Arbeni thotë se ndihma që jepte Qeveria e Kosovës për bizneset, ishte e pamjaftueshme.

“Asgjë… Ishte një ndihmë nga 150 euro për punëtorë që ndante Qeveria. Ishin pak. Nuk mjaftonte ndihma për të paguar shpenzimet që i kishim”, thotë Arbeni, i cili aktualisht është i papunë dhe nuk mendon ta rihapë biznesin e tij.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Për një vit, rreth 3,300 punëtorë mbetën pa punë

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.