Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.
Gjatë një konference të përbashkët për media me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Sa i përket qëllimit përfunditar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës”, tha Palmer.
Në një letër që presidenti amerikan, Joe Biden i dërgoi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, më 19 prill, tha se ai është i vetëdijshëm që për përmbylljen e dialogut kërkohet “fleksibilitet dhe kompromise të vështira”.
I pyetur që të komentojë lidhur me kompromiset e mundshme, Palmer tha se u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin për to.
“Nuk është në dorën e SHBA-së që të identifikojë se cilat do të duhej të ishin kompromiset e nevojshme, parametrat e negociatave. Kjo nuk është as punë e mikut tim Lajçak. Kjo u takon palëve. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA-ja e BE-ja, por udhëhiqet nga palët. Dialogu lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. Prandaj, u takon palëve të formësojnë dhe të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe avokuar teksa procesi ecën përpara”, tha Palmer.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ky asociacion duhet të formohet ashtu siç pajtohen palët.
Lajçak, në konferencën e përbashkët për media me Palmerin, tha se takimet e zhvilluara në Prishtinë ishin të dobishme dhe tha se qëllimi i kësaj vizite dyditore ishte që të sigurohet që takimi Kurti-Vuçiq të jetë i suksesshëm.
“Këto takime ishin shumë të dobishme dhe na ndihmojnë ne që të përgatitemi për takimin (në Bruksel)”, tha Lajçak.
Ai shtoi se ky vit ka “potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor. Ka një rritje të interesimit për rajonin në mesin e udhëheqjes së BE-së dhe shteteve anëtare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mesin e muajit qershor.
Palmer dhe Lajçak më 31 maj zhvilluan takime me liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë.
Pas takimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë, por duke respektuar integritetin territorial të Kosovës, rregullimin e brendshëm kushtetues dhe shtetëror si dhe funksionalitetin e vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun është “i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.
Ndërkaq, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan nga Palmeri një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore.