Avokati Dastid Pallaska në emisionin Pressing të T7, ka treguar se çfarë e pyeti babai i Hashim Thaçit për ish-presidentin i cili aktualisht po mbahet në Hagë.
Pallaska ka thënë se pyetja e parë që ia bëri babai i Thaçit ishte se kur do të fillojë dhe kur do të përfundojë procesi gjyqësor.
“E gjithë kjo ka pasur një pasojë për ata që kanë qenë atje, por edhe për familjarët dhe në lidhje me këtë dëshiroj që me e nda me publikun një moment shumë prekës të cilin e kanë përjetuar. Kur e kam takuar të atin e z. Thaçi në fshatin e tij, sapo e kishte fituar betejën me Covidin dhe ishte duke u rikuperuar dhe pyetja e vetme që bëri pas mikpritjes tradicionale shqiptarë, ishte “Kur do të fillojë dhe kur do të përfundojë procesi gjyqësor”, është shprehur Pallaska.
Por, porsa mbrojtja ia dha parashikimet për procesin gjyqësor, Pallaska tha se babai i Thaçit nuk u tradhtua me asnjë fjalë, por u pa në shikimin e tij një reflektim serioz. Kjo për shkak se ekziston rreziku që nuk do të mundë ta përjetojë edhe përfundimin e këtij procesi.
“Kur ia dhamë parashikimet tona që normalisht bazohen në vlerësimet e situatës aktuale që janë shumë të gjata siç e përmenda dhe nuk u tradhtua me asnjë fjalë, por në shikimin e tij u pa një reflektim serioz që ekziston rreziku që nuk do të mundë ta përjetojë edhe përfundimin e këtij procesi, që është një brengë shumë e madhe e një prindi që simbolizon më mirë se gjithçka tjetër vuajtjen që shkakton një proces i tillë, i pasigurt, për të gjithë ata që janë të prekur. Pra, është një proces i gjatë, i mundimshëm, kërkon shumë punë, angazhim e edhe durim, në mënyrë që në fund të përfundojë më së miri, e ajo çka më bën optimist është se z. Thaci përkundër që ka qenë në izolim efektiv pa kontakt me familjen, pa asgjë, në kuptimin emocional dhe psiqik, është duke u mbrojtur mirë, është i fortë, është i fokusuar në mbrojtjen e tij. Absolutisht nuk bën presion për rezultate të shpejta të paqëndrueshme, por fokusin kryesor dhe të vetëm e ka te rezultati përfundimtar sepse është i vetëdijshëm që ai rezultat nuk e prek vetëm lirinë e tij, por edhe të gjithë punën dhe jetën e tij e cila ndërlidhet me rrethanat historike në të cilat ka marrë pjesë, e për të cilat fatkeqësisht sot janë objekt i kësaj aktakuze”, ka thënë Pallaska.
“Thaçi komunikon me telefon, nuk e di nëse ata e përdorin “Zoom’in”, ne e përdorim atë. Po supozoj që e njëjta mundësi elektronike ekziston”, shtoi Pallaska