Avokati Dastid Pallaska, që ka qenë një nga kritikuesit e ashpër ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, tash është pjesë e ekipit mbrojtës të tij në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale ku akuzohet për krime lufte.
Pallaska, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se duke u bazuar në kritere profesionale nuk ka mundur ta refuzojë ftesën e Hashim Thaçit që të përfshihet në ekipin e avokatëve të tij mbrojtës.
Ai po ashtu ka deklaruar se as në aspektin personal nuk ka mundur mos ta marrë përsipër këtë rast për të cilin thotë se është unikal në botë.
“Janë dy çështje totalisht të ndara – pjesëmarrja ime në debatin publik dhe fushëveprimtaria ime profesionale ku njerëzit kërkojnë shërbimet të cilat i ofroj. Fakti që edhe ish-presidenti [Hashim] Thaçi, përkundër deklarimeve të mia publike, ka ardhur dhe ka kërkuar që unë të kyçem në ekipin mbrojtës flet më mirë se çkado tjetër se përzgjedhja ime ka qenë e bazuar ekskluzivisht në kritere profesionale dhe meritore që ka qenë në një mënyrë edhe kompliment personal”.
“Këtë rast kam pranuar ta përfaqësoj, sepse është rast unikal ndoshta në botë sa i përket gjykatës para së cilës paraqitemi. Në aspektin personal ka qenë e pamundur ta refuzoj një ftesë të tillë duke qenë që atje nuk po gjykohet vetëm një individ, sepse implikimet e atij rasti i tejkalojnë individët që janë paraqitur, apo mund të paraqiten në të ardhmen. E konsideroj nder dhe privilegj profesional që do ta kem mundësinë që në mesin e një numri të konsiderueshëm të avokatëve që bëjnë pjesë në ekipin e Thaçit që ta jap kontributin tim modest për një përfundim që shpresoj që nuk do të jetë pozitiv vetëm për Hashim Thaçin, por për tërë vendin”.
Por, a mund të bëhet një ndarje e tillë – a mund Dastid Pallaska ta bëjë punën e avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit kur nuk është pajtuar me qëndrimet e tij politike?
“Avokatët asnjëherë nuk asociohen me klientët e tyre. Nevoja për avokat është që të kesh dikë që me kokë të ftohtë e gjykon situatën e vështirë në të cilën gjendet një njeri. Gjithashtu, kjo nuk sugjeron një afërsi të caktuar, apo jo. Po të kishte qenë afërsia personale apo politike kriter, me siguri se [Hashim] Thaçi do t’i drejtohej njerëzve të tjerë”.
“Kontakti i parë dhe i vetëm me të ka qenë angazhimi për këtë çështje. Unë e njoh Hashim Thaçin si figurë publike dhe më ka rënë të takohem me të nëpër mbledhi të ndryshme diplomatike apo të tjera. Mirëpo, diskutimi për ndonjë çështje ka qenë i pari dhe i fundit ai për angazhimin të cilin e kam pranuar”.
Avokati që e mbron Hashim Thaçin ka thënë se nuk mund të flasë asgjë lidhur me procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale.
“E sakta është që nuk mund të them asgjë. Intervistat e mia kanë të bëjnë me mendimet e mia personale. Ajo është një ndër rastet e shumta të mëdha që i kam qoftë në vend dhe jashtë vendit. Vendimet për paraqitjet publike merren në nivel të ekipit kurdo që ekipi e vlerëson që është e domosdoshme dhe e dobishme për rastin. Nuk duhet të keni pritje shumë të mëdha për paraqitje publike, sepse fjalën tonë presim dhe do ta themi në gjykatë. Veprimet tona në gjykatë do të flasin më shumë sesa çka do që mund të thuhet në publik”.