Pala ukrainase kërkon nga ajo ruse organizimin e një takimi Zelensky-Putin

Negociatorët ukrainas në bisedimet me Rusinë të martën në Stamboll, kanë deklaruar se kanë kërkuar nga pala ruse organizimin e një takimi mes presidentëve të dy vendeve, raporton BBC.

Ata kanë thënë se kishte material të mjaftueshëm në propozimet aktuale të Ukrainës për të garantuar një takim midis Zelenskyt dhe presidentit rus Vladimir Putin, duke shtuar se ata ishin në pritje të përgjigjes së Rusisë për këtë.

Ndër propozimet në takimin e së martës në Stamboll përfshihej edhe një periudhë konsultimesh prej 15 vjetësh për statusin e Krimesë së aneksuar në vitin 2014, dhe se ato do të hynin në fuqi vetëm kur të ndodhte armëpushimi i plotë.

Ndërkaq pala ruse ka kërkuar neutralitetin ushtarak të Ukrainës, që nënkupton mosanëtarësimin e saj në NATO e po ashtu mospasjen e bazave të huaja ushtarake në territorin e saj.

Pas takimit të Stambollit, ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se do t’i reduktojë në mënyrë drastike aktivitetet e saj në dy qytete, Kiev dhe Chernihiv.

Bisedimet e Stambollit janë zhvilluar me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili që në fillim të takimit kërkoi nga palët rezultatet konkrete, duke deklaruar se paqja nuk e bën askënd humbës.