Raundi i tretë i bisedimeve në mes të Ukrainës dhe Rusisë ka përfunduar me “pak zhvillime pozitive”, lidhur me korridoret potenciale humanitare, sipas “Reuters”.
Agjencia prestigjioze e lajmeve ka raportuar se një negociator ukrainas ka konfirmuar se ka pasur pak zhvillime.
Krijimi i korridoreve për evakuimin e civilëve nga qytetet e shkatërruara nga lufta ka qenë i vështirë ditët e fundit. Ukraina akuzon Rusinë se vazhdimisht po i bombardon këto korridore.
Civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë përpjekjeve për të ikur.
Kurse, Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podoliak, ka bërë të ditur për përfundimin e rundit të tretë të negociatave Ukrainë – Rusi në Bjellorusi, duke thënë se nuk është arritur përparim që përmirëson shumë situatën.
“Ka përparim në përmirësim të logjistikës së korridoreve humanitare… konsultimet intensive kanë vazhduar për armëpushim dhe garanci për sigurinë”, ka thënë ai në Twitter.