Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i ka dërguar letër presidentit Hashim Thaçi, ku i ka treguar për temat që do të diskutohen gjatë takimit të sotëm me të.
Kurti, i thotë Thaçit se do të takohet me të për të folur për hapat e mëtejmë të Kushtetutës, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.
“Dëshiroj paraprakisht t’ju bëj të qartë, se çështja e vetme për të cilën do të bisedoj sot me ju, është se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Kjo është një çështje për të cilën jemi të detyruar për t’i mbajtur qytetarët e Republikës, burimin e sovranitetin demokratik, vazhdimisht të informuar”, shkruan në letrën e Kurtit.
Kurse, sa i përket sipas tij, interpretimeve “të gabuara të nenit 95.5 të Kushtetutës, këtë temë të rëndësisë dytësore apo tretësore, mund ta lëmë për ndonjë ditë tjetër”.