Pak ditë pasi doli pozitive me koronavirus, gruaja nga Zabeli i Ulët rezulton negative

Vetëm pak ditë pasi kishte rezultuar pozitive në testin për koronavirus, gruaja nga Zabeli i Ulët në Drenas ka rezultuar negative në testin e ri.

Koha mëson se komuna e Drenasit ka njoftuar familjarët se në dy testet e reja, atë të djeshmen, dhe një të sotmin, gruaja ka rezultuar negative në test. Testimi i saj i ri erdhi pasi të 14 anëtarët e familjes së saj kishin rezultuar negativë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci. Ai ka thënë se gruaja nuk ka qenë e infektuar me virus e as s’ka qenë burim infeksioni për të tjerët.

“Konfirmohet si negative gruaja e supozuar se ishte e infektuar me virusin covid-19, nga Zabeli i Ulët. Pra, asnjë qytetar në Zabelin e Ulët, as ka qenë i infektuar, as burim infeksioni, ashtu sikur ishin negativ të gjithë 14 anëtarët e kësaj familjeje. Falënderoj qytetarët e Zabelit të Ulët për disiplinën ashtu si edhe të gjithë qytetarët e komunës tonë për respektimin e vendimeve për luftimin e përhapjes së virusit covid-19. Kujdes po, panik jo!” ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Më 19 prill, fshati Zabel i Ulët ishte shpallur vatër e përhapjes së infeksionit pikërisht pas këtij rasti të diagnostikimit me koronavirus.

Koha ka provuar të marrë një koment nga Ministria e Shëndetësisë, por një gjë e tillë ishte e pamundur të premten në mbrëmje.