Vlera e koeficientit të pagave këtë vit do të jetë 110, për dallim nga viti i kaluar që ishte 105, por rritja e pagave në arsim me këtë koeficient nuk është pritur mirë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin, ka shprehur pakënaqësi dhe zhgënjim me rritjen e fundit të pagave që është bërë e që mesatarisht i bie 28 euro, duke e cilësuar edhe si ironike.
Ai tha se shpresat i kishin orientuar tek ndryshimi i këtij koeficienti nga ana e Qeverisë, për siç tha ai “ duke i pa shqetësime tona tek sistemi arsimor, si dhe të policisë, zjarrfikësit, shëndetësia etj, do të bënte një ngritje më të madhe”.
“Mirëpo ndodhi ajo që e kishte paralajmëruar ministri i Financave që vlera e koeficientit nga viti 2024 do të rritet nga 105 në 110. Kjo ka shtuar shumë pakënaqësi në arsim dhe në sektorë të tjerë. Me këtë rritje ‘ironike’ vijmë në përfundim se pagat në arsim mesatarisht janë shtuar 28 euro. Jo pak mësimdhënës janë shprehur ‘më mirë mos t’i marrim hiç, se sa t’i marrim këto rritje’ ”, ka thënë Jasharaj.
Ai tha se kërkesa e mësimdhënësve është që koeficienti të jetë 130 euro.
“Mësimdhënësit janë tepër të pakënaqur pasi kërkesa e tyre e adresuar është që koeficienti të jetë 130, jo për tu pasuruar punëtorët e arsimit dhe të tjerët, por për të përballuar më lehtë ngritjen e vazhdueshme të çmimeve”, u shpreh Jasharaj.
Sipas tij, me këtë “rritje ironike” nuk ndryshon asgjë në buxhetin familjar të mësimdhënësve.
Ndërkaq, i pyetur se pas këtyre pakënaqësive a do të ndërmarrin ndonjë veprim sindikal, ai theksoi “anëtarësia për momentin nuk ka kërkuar ndonjë veprim sindikal, por kanë adresuar dhe në takime me ne dhe në takimet e tyre nëpër komuna, janë shprehur tepër të zhgënjyer sepse me Ligjin e pagave nuk kaluam si duhet as ne, as të tjerët. Por, shpresat i kishim tek qeveria, që do ta shikonin këtë pakënaqësi. E qeveria kur po e thotë një gjë nuk po e ndryshon më edhe nëse i ofrojmë me dhjetëra argumente”, theksoi Jasharaj.
I pari i SBASHK-ut foli po ashtu edhe për “pushimet njëvjetore” të mësimdhënësve, për të cilat Jasharaj tha se edhe pse është e paraparë me Ligj të punës, kjo çështje paraqet shqetësim në sistemin arsimor.
“E kemi një numër të konsiderueshëm edhe të punëtorëve arsimorë që po marrin pushime për një vit. Kemi dhe një pjesë tjetër të zhgënjyer të cilët për ditë po shohin se a kanë ndonjë mundësi tjetër për të ikur nga sistemi arsimor. Pakënaqësia është e madhe dhe qeveria është dashur ta dëgjoj zërin e punëtorëve në sektorin publik dhe ta bëjë një ngritje pak më ndryshe, dinjitoze. Pasi 28 euro nuk mund të quhet ngritje, por ‘ironi e Qeverisë Kurti’ “, vlerësoi Jasharaj.
“Për pushimin një vjetor pa pagesë i cili lejohet me Ligjin e punës, punëtorët i drejtohen drejtorive arsimore. Nga shifrat tona që i kemi mbledh jo zyrtarisht na doli një shifër 300, por kjo shifër mund të jetë ngritur pas liberalizimit të vizave. Ne e kemi ngritur si shqetësim. Më ka habitur se edhe pas gjithë këtij shqetësimi që është publikuar dhe në media, nuk kam parë as DKA-të, as ministren Nagavci të jenë takuar apo ta analizojnë këtë situatë të re. Por, nëse vazhdon kështu dhe bëhet shprehi atëherë ka rrezik që të kemi mungesa të mësimdhënësve”, tha ai.
Jasharaj po ashtu tha se mësimdhënësit punojnë në kushte të vështira dhe se objektet shkollore në Kosovë nuk i ngjajnë shkollave të shekullit XXI.
“Shteti duhet ta ndryshoj shkollën, të kemi lap-top dhe projektor në mënyrë që shkolla të kthehet në një ambient të dashur dhe nxënësit të dalin me deklaratë se sa me dëshirë po shkojnë. Me një shpuzë e shkumës nuk shkohet më në shkollë. Kemi pritur që do të bisedojmë, por Nagavci ende e mban inatin që nga shtatori i vitit të kaluar”.
Ndër të tjera Jasharaj foli edhe për rrezikun e “grevës së heshtur”.
“Si njeri me përvojë të gjatë në arsim dhe tash që 10 vjet kryetari Sindikatës kam bërë një krahasim. Greva kur është grevë publike është më pak e rrezikshme, pasi prindi e din që fëmijën e ka në shtëpi. Por, greva e heshtur është kur kemi pakënaqësi dhe ajo reflektohet në vullnetin e punës dhe mësimdhënësit kur janë të pakënaqur, më besoni se më duket po i shoh nëpër sallat e arsimtarëve duke debatuar për rrogat edhe pse zilja ka rënë”, sqaroi ai. /Telegrafi/