Pacolli vizitë në Hagë, takon Thaçin, Veselin e Selimin

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, ka takuar sot në Gjykatën Speciale në Hagë, ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

Këtë e ka bërë të ditur vet Behgjet Pacolli, i cili tha se këtë vizitë në Hagë e bëri në cilësinë e ish-presidentit të Kosovës, derisa përveç të lartcekurve, thotë  se kësaj radhe nuk ka arritur t’i takojë të tjerët.

”Në cilësinë time si ish -President i Kosovës dhe mbi të gjitha si një mik personal, së bashku me Jetlirin, vizituam ish -Presidentin Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim, për gati një vit nga Gjykata Speciale në Hagë. Për pak kohë, me kënaqesi, takuam edhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi. Të tjerët kësaj radhe nuk mundem t’i takoja.

Në këto dekada që njihemi, është hera e parë që për një kohë kaq të gjatë nuk jam takuar me presidentin Thaçi.

Si mik i tij, por edhe si Kosovë, jam i bindur se sot në paraburgim ( bashk me të tjerët), është njeriu që udhëhoqi luftën për çlirimin e vendit, ai ishte personi kyç në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë.

Këtu në Hagë ai, më të tjerët është duke luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur.

Kosova të merr Kroacinë si shembull se si i mbron luftëtarët e saj dhe të mos e kthejë urrejtjen politike ndaj individëve në urrejtje ndaj së kaluarës sonë, sepse kjo është ajo që dëshiron Beogradi, për të rishkruar historinë. Dhe historinë e kanë shkruar edhe ata që sot janë në Hagë dhe shumë të tjerë në Kosovë, por me logjikën e sotme pavetëdijshëm po bëheni aleat i Beogradit në luftën kundër UÇK -së.

Është momenti i fundit që Shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe ne të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”.