Ish-presidenti i vendit dhe njëkohësisht kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, nuk ka diskutuar ende me askënd lidhur me formimin e qeverisë së re. Megjithatë, Pacolli nuk dëshiron të marrë ministri në qeverinë e re.
Gazeta Express mëson se Pacolli deri tash nuk ka biseduar me asnjë nga partitë të cilat kanë tendenca ta formojnë qeverinë e re, pasi i kanë numrat.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar për kryeministër të ardhshëm, ish-zëvendës kryeministrin e parë të Qeverisë në detyrë, Avdullah Hotin.
E për ta formuar qeverinë, LDK’ja po bisedon me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AKR) dhe Nismën.
Në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar në Kosovë, Nisma dhe AKR’ja e Behgjet Pacollit garuan bashkë ku fituan pak mbi 5% të votave, mjaftueshëm sa për të marrë ulëse në Kuvend.
Gazeta Express ka raportuar se Nisma do të marrë dy ministri në qeverinë e ardhshme të Hotit, ndërsa partneri i koalicionit – AKR, nuk dëshiron fare ministri.
Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht kryetari AAK’së, ka bërë të ditur se do të kërkojë nga kryesia e partisë së tij, që partnerit të tij të koalicionit, Partisë Socialdemokrate, t’i takojë një ministri.
Kujtojmë se qeveria e kryeminsitrit në detyrë, Albin Kurtit, u rrëzua përmes mocionit të votëbesimit, të cilin e inicoi partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
E mocioni u inicua për shkak se kryeministri Kurti shkarkoi ish-ministrin, Agim Veliun, me arsyetimin se ky i fundit u deklarua pro gjendjes së jashtëzakonshme. Opinion ky me të cilin nuk pajtohej Kurti.
Gjendja e jashtëzakonshme u propozua nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për shkak të pandemisë që ka kapluar Kosovën.