Pa punë dhe pa ndihmë nga shteti

N. I. nga Komuna e Ferizajt ka humbur vendin e punës për shkak të masave që janë marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Këto masa i detyruan shumë biznese të mbyllen fillimisht, e pastaj pas lirimit të masave, të veprojnë me kufizime. Kjo bëri që shumë pronarë të largojnë punëtorët nga puna.

“Kam mbetur pa punë, po ashtu edhe burri nuk punon. Deri më 13 mars kam punuar, pastaj pronarja më ka larguar. Kam kërkuar punë çdokund, po nuk ka njëherë përnjëherë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë. Ajo ka marrë vetëm 170 euro ndihmë nga shteti, por tani nuk mund ta gëzojë asnjë ndihmë tjetër.

Punëtorët, të cilët janë pezulluar apo larguar nga puna pas muajit maj, nuk përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës dhe as në ndonjë pako tjetër. Aplikimi për të përfituar nga kjo pako është mbyllur më datën 15 maj.

Pakoja emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, kishte paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajt e ardhshëm (prill dhe maj).

Deri më tani, për shkak të mungesës së buxhetit, është bërë vetëm një pagesë.

Pagesa për muajin maj do të mund bëhet pas miratimit të Ligjit të rishikuar për ndarjet buxhetore 2020, i cili tashmë është në shqyrtim final nga Kuvendi i Kosovës .

Punën gjatë kësaj kohë e kanë humbur të punësuarit në sektorin privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Në këtë sektor vlerësohet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë punëtorët po mbesin pa punë dhe se nuk po marrin më asnjë ndihmë nga shteti.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë obligim për këta punëtorë që po humbin punën çdo ditë. Është një gjendje e rëndë. Kompanitë kanë rifilluar punën, por punëtorët nuk janë thirrur të fillojnë punën. Tani për tani, pjesa dërrmuese e punëtorëve në sektorin privat nuk e ka pagën 100 për qind; ata marrin diku 60 për qind, pasi që pronarët e kompanive po thirren në atë se nuk janë ndihmuar nga shteti dhe nuk mund t’i paguajnë punëtorët”, thotë Azemi.

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre, të cilët po regjistrohen si të papunë pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Numri i personave të regjistruar si të papunë në këtë agjenci, ka arritur në mbi 180 mijë.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Drin Haraçia, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm në muajin mars janë regjistruar 80 mijë qytetarë si të papunë.

“Nëse i shikojmë shifrat deri më sot (23.07.2020), numri total i të regjistruarve si të papunë është mbi 180 mijë qytetarë. Kryesisht, komunat më të mëdha prijnë me numrin më të madh të të papunëve. Numri më i madh i të papunëve të regjistruar është gjatë kohës së pandemisë. Në muajin mars, rreth 80 mijë qytetarë janë regjistruar si të papunë”, bën të ditur Haraçia.

Ai tregon se të papunëve të regjistruar janë duke iu ofruar trajnime në kuadër të qendrave të aftësimit profesional, por, sipas tij, edhe trajnimet janë reduktuar për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Punëkërkuesit e regjistruar në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bazuar në profilet që i kanë, shton Haraçia, i ndërmjetësojnë te bizneset, por tani, thotë ai, ka rënë kërkesa e bizneseve për punëtorë.

Programi për rimëkëmbje ekonomike do të krijojë vende të punës

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë aspekt, punëtorëve do t’iu vijë në ndihmë Qeveria e Kosovës përmes Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik dhe është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës duhet ta shqyrtojë këtë projektligj që më pas të vihet për miratim në ndonjë nga seancat plenare.

Sipas Shahinit, ky projektligj krijon bazë ligjore për zbatimin e programeve që kanë për qëllim tejkalimin e pasojave socio-ekonomike, të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

“Qeveria e Kosovës konsideron se përmes programit për rimëkëmbje ekonomike do të kthehet ritmi i rritjes ekonomike, do të rritet kërkesa agregate në vend dhe do të hapet perspektivë për fuqizimin e sektorit të prodhimit, eksportit dhe sektorit të shërbimeve”.

“Pra, në këtë kontekst, Qeveria e Kosovës synon që përmes masave për nxitjen e aktivitetit ekonomik, jo vetëm të ruajë vendet aktuale, por të gjenerojë vende të reja të punës, gjithnjë duke qenë e gatshme t’iu ofrojë mbështetje të gjitha kategorive sociale të shoqërisë”, thotë Shahini.

Programi për rimëkëmbje ekonomike, i cili kap vlerën prej 385 milionë eurosh, shton Shahini, synon të rigjallërojë aktivitetin ekonomik në vend, përmes masave që mbështesin një gamë të gjerë të sektorëve ekonomikë, me potencial për rritje dhe krijim të vendeve të punës.

Ndonëse faza e parë e masave lehtësuese në Kosovë filloi më 4 maj, ende janë në fuqi disa kufizime për bizneset, të cilat kanë shtyrë shumë të tilla të reduktojnë veprimtarinë e tyre dhe rrjedhimisht të ulin edhe numrin e punëtorëve.

Që prej 6 korrikut, bizneset e gastronomisë e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre nga ora 21:00 deri në orën 5:00.

Ndërkaq, sipas vendimeve të fundit, është pezulluar veprimtaria në kopshte publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive.

Po ashtu është pezulluar puna në tregjet publike, të automjeteve dhe tregjet e kafshëve.

Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë.

Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7 për qind.

Kosova ka vuajtur nga papunësia ndër vite. Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4 për qind nuk ka arritur t’i zbusë këto probleme. Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, pandemia COVID-19 do të ndikojë në një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.