Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se subjekti politik që drejton në ditët në vijim do të merret me tenderët njëburimor që ka dhënë Qeveria Kurti.
Ai ka kritikuar shumicën parlamentare që të enjten lëshoi sallën derisa po flitej për këtë temë.
“Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallë, por të vërtetës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”, shkruan Abdixhiku.
“Plot 781 tenderë, në vlerë prej 209 milionë eurove, janë dhënë nga ‘Pushteti i Shpresës’ me negocim të drejtpërdrejtë! Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një!
Kështu janë ndarë plot 209 milionë euro; 781 herë! 30 milionë vitin e parë; 70 milionë në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!
Ai ka shpjeguar se me këtë praktikë janë dhënë 13 tenderë në Korporatën Energjetike të Kosovës si dhe 15 milionë me të njëjtën praktikë, Ministrisë së Punëve të Brendshme.